Presidenti i UEFA-s është shprehur entuziast për të ardhmen e ish-skuadrës së tij“Torino, 1982. Bie telefoni, Boniperti ma kalon: - Për ty Mishel. Ai zë, me një ton të çuditshëm më tha: “Platini, të lutem, duhet të fitojmë Kupën e Kampionëve…”. E shikoj Bonipertin dhe e pyes nën zë: Po kush është?. - Më përgjigjet: “Shshshsh! Avokati Anjeli!. Kush? Unë nuk e njoh. Është njëlloj sikur një lojtar i Torinos të njohë presidentin e Renosë. Kjo ishte e para e një serie të pafund telefonatash, të gjitha në gjashtë të mëngjesit, madje edhe më shumë”,- bën shaka presidenti i UEFA-s.
- Nga Platini te Diego. Kjo Juve ngjan me atë të kohës së tij?
- Është ende herët për të bërë krahasime të tilla. Ai imi ishte një Juventus i madh. Ishin avokati, Boniperti, Trapatoni. Ishte Shirea. I kam dërguar një faks Juves, Gaetano është i paharrueshëm. Sot është ndryshe, kanë kaluar shumë vite, por po lind diçka e rëndësishme.
- Si Diego?
- E njoh pak, por për mendimin tim i përket kategorisë 10. Aty bëjnë pjesë ata që kanë uri për gol.
- Ju ngjan juve?
- Një kampion nuk shikohet nga një goditje dënimi apo nga një driblim. Është një bashkim i disa faktorëve shumë më kompleksë: avokati shikonte më parë njeriun, pastaj lojtarin.
- Platini, Baxho, Zidan dhe tani Diego…
- Janë ata që nuk duhet të qëndrojnë kurrë në pankinë. Kanë talent, të kënaqin.
- Do t’i kishte pëlqyer avokatit ky Juventus?
- Po. Juve ishte në zemrën e tij dhe ai kishte gjithmonë nevojë për të. E ndiente që mund të rikthehej për të fituar.
- Ju keni thënë: “Pa avokatin, nuk do të kisha qenë Platini.” Po ju çfarë i dhatë atij?
- Juventusi im i dha gëzim, ekzaltoi pasionin e tij. Ai të fliste për të të njohur thellë, për të ditur se ç’mendon, të jepte përgjegjësi si njeri.
- Një tjetër shprehje e famshme: “Anjeli më pëlqente mua dhe Bonjekun, sepse i përgjigjeshim batutave të tij.”
- Pikërisht kështu. Unë dhe Zibi kishim më pak respekt. Për italianët ishte një figurë mitologjike, për mua një njeri i ndjeshëm.
- Dhe telefonatat e famshme në mëngjes?
- Oh, ishin shumë… Ai mund të zgjohej në pesë, ndërkohë që shkonte vonë në shtrat.
- Dhe për çfarë ju fliste?
- Në mëngjes? Ah, nuk e di. Gruaja ime më zgjonte dhe më thoshte: “Është avokati në telefon”. Në atë orë, unë isha dakord me të gjitha ato që thoshte ai. Pastaj flija përsëri.
- Dhe të mendosh që atëherë nuk kishte telefona celularë. I gjori Diego: nëse do ta kishte njohur sot…
- Celularë? Kisha numrin e shtëpisë, të prindërve dhe të vjehrrit. Centrali i tij më gjente gjithmonë në linjë.
- Do t’i telefononte edhe Diegos?
- Jam i sigurt që do ta kishte bërë.
- Ju ka kritikuar apo qortuar ndonjëherë?
- Kurrë. Një ditë pas ndeshjes në Athinë isha i dëshpëruar: flisja me Tardelin dhe Kabrinin, por nuk doja të fajësoja askënd. Ai ishte shumë inteligjent. Atëherë, Antonio tha: “Fitojmë kampionatin, kështu kthehemi në finale”. Kështu do të bëhet.
- Çfarë do t’i thonit sot avokatit?
- Më shumë se t’i thoja, do të bëja gjithçka për të rindërtuar imazhin dhe prestigjin e Juventusit. Më parë vjen njerëzia, pastaj rezultati. Kush e di, ndoshta po të ishte ai, nuk do të kishin ndodhur këto gjëra të shëmtuara.
- Ju këshillonte lëvizje taktike. Ju sygjeronte pozicone të lojtarëve?
- Bën shaka? Për taktikë, ndoshta fliste me Trapatonin dhe Bonipertin. Dhe mbi të gjitha dëgjonte: ishte një njeri i madh, më mungon, por le ta lëmë të prehet në paqe. Tani që nuk jeton më, nga ju po e kuptoj se sa shumë e vlerësoja.
- Kur ju erdhët te Juventusi Trapatoni ishte 43 vjeç. Ferrara është 42 dhe ka nga ata që thonë se është i ri…
- Cilësia nuk ka moshë. Por sot puna e trajnerëve është shumë më e ndërlikuar, pasi ndodhet midis presidentit, drejtorit sportiv dhe stafit. Çiron e mbaj mend si lojtar: është njeri që përkushtohet…
- I ka fituar të gjitha ndeshjet deri tani.
- I lumtë, por… Sa keq që sistemi ka ndryshuar. Një herë e një kohë trajnerët qëndronin përjetë si Trapatoni e Liedholm. Sot ndryshojnë shumë lehtë.
- E fundit shprehje e famshme: “Do të më pëlqente që si president i UEFA-s t’ia jepja kupën e Ligës së Kampionëve Juventusit.”
- E përsëris, nuk e them më, më kanë kritikuar në të gjithë botën për këtë. Jam neutral. Do t’ia jap kupën atij që fiton.
- Midis pretendentëve qëndron edhe Juventusi, apo jo?
- Rruga është e gjatë. Ajo që mund të them është se nuk mund të fitohet Liga e Kampionëve duke luajtur keq. Sigurisht, Juventusi e ka filluar mirë.