Milani ka sulmin e tretë më të keq të Serisë A me tre gola në 450 minutaLeonardo në përfundim të ndeshjes Udineze-Milan, nuk ka mundur të bëjë gjë tjetër përveçse ta pranojë: “Bëjmë pak gola, na mungon diçka në finalizim”. Një nga veteranët, Kakaber Kaladze, ka qenë më i drejtpërdrejtë: “Nuk gjuajmë asnjëherë në portë”. Sulmi është problemi i “Djallit”, që nuk ndodhet në një pozicion të mirë në renditje: tre gola në 450 minuta, vetëm Atalanta dhe Livorno (një gol) kanë bërë më keq. Shqetëson edhe Pato, që pas dygolëshit kundër Sienës sulmuesi është bllokuar. Një e dhënë kjo që konfirmon momentin negativ të talentit kuqezi. Kundër Bolonjës zero gjuajtje në portë; kundër Udinezes, zero gjuajtje gjatë gjithë ndeshjes nga 11 të bëra nga pjesa tjetër e skuadrës. Vështirësi në interpretimin e lojës së Milanit, karakter akoma i paformuar, efekti i martesës, ndonjë pendim (ndoshta) për transferimin e munguar drejt Çelsit dhe arsyet për ’shterpësinë’ e Patos mund të jenë të ndryshme. Galiani, pas Udines, ka preferuar të mos japë asnjë mendim, ndërsa, Leonardo ka thënë se lojtari “mbulohet gjatë gjithë kohës nga kundërshtarët, ka vështirësi në gjetjen e hapsirave. Por për golat e paktë nuk mund të fajësohet vetëm Pato, problemi kryesor i skuadrës ka të bëjë edhe me finalizimin e aksioneve”. Domethënë, nuk është vetëm një problem i finalizimit, por edhe i krijimit të aksioneve, i lëvizjeve, zgjidhjet që duhen krijuar në sulm. Nga loja e krahëve, sa për të dhënë një shembull, nuk vijnë krosime, Zambrota, Odo dhe Jankulovski, duket se konfirmojnë me lojën e tyre në fushë se kërkesat e shumta të Leonardos për një mbrojtës krahu që të ndihmonte edhe sulmin kanë qenë të drejta. Por është edhe një problem që ka të bëjë me agresivitetin e pakët, sipas Kaladzes: “Nuk është e thënë të shkojmë me top deri në portë, por duhet të përpiqemi të godasim edhe nga jashtë, - tha gjeorgjiani. - Nuk arrijmë të transformojmë në raste për gol lojën që bëjmë në sulm. E përsëris, gjuajmë shumë pak drejt portës”. Një mesazh i qartë ky për Inzagin, Huntelarin, Ronaldinjon për Paton dhe Sedorfin. Milan ka nevojë për golashënues, dhe jo vonë, por tani.