25 shtator 2009

Leonardo pranon: Jam i zhgënjyer nga Milani


Trajneri kuqezi ka shprehur hidhërimin e tij pas humbjes në fushën e Udinezes
Në prag të transfertës në Udine, Leonardo ka pranuar se në përgatitjen e ndeshjes i kushton shumë vëmendje kundërshtarëve dhe vendosjes së tyre taktike. Por, sigurisht duhet ta ketë kuptuar se problemi i tij i parë nuk është sesi luan kundërshtari, por sesi luan Milani. Kuqezinjtë luajnë keq dhe mbi të gjitha nuk arrijnë të finalizojnë, teksa në Udine me përjashtim të traversës së goditur nga Nesta pas një goditjeje nga këndi, ata kanë goditur portën vetëm nga larg, madje nga shumë larg. Më shumë se një zgjedhje, është dukur një lëvizje e kushtëzuar nga dëshpërimi.
Por, analiza e Leonardos, nuk ka qenë negative: “Kemi bërë një ndeshje të mirë, e kemi filluar takimin me rregul dhe personalitet. Më pas kemi bërë një gabim në rastin e golit, duke i lënë hapësirë Izlas për t’u futur në zonë, Udineze ka kaluar në avantazh dhe më pas ka luajtur vetëm duke shfrytëzuar kundërsulmin. Në pjesën e dytë kemi luajtur më mirë, është një humbje që djeg, por nuk mund të fshijë gjërat pozitive që unë kam parë. Zotërimi i topit ka qenë i mirë dhe kemi reaguar mirë edhe kur në kontroll ka qenë Udineze: nuk kemi pësuar shumë, vetëm ndonjë kundërsulm. Nuk kemi shkëlqyer, por nuk mund të them se kemi bërë një ndeshje të keqe”.
Dyshimi në prag të ndeshjes kishte të bënte me sulmin: Pato apo Ronaldinjo? Në fund, pasi ka provuar Dinjon në stërvitjen e fundit, Leo ka zgjedhur Paton që ka konfirmuar edhe një herë se nuk po kalon një moment pozitiv. Loja e Ronaldinjos në pjesën e dytë ka qenë më e mirë, duke treguar se e meritonte ta fillonte ndeshjen si titullar, ashtu siç kishin menduar të gjithë në fillim. Në përgjithësi, Milanit i mungojnë golat: ka shënuar vetëm tre në pesë ndeshje, vetëm Atalanta dhe Livorno kanë bërë më keq se kaq. “Eshtë e vërtetë, -ka konfirmuar Leonardo -, bëjmë shumë pak gola, kemi probleme në finalizimin e aksioneve.
Pato ka vështirësi në gjetjen e hapësirave, markohet shumë, por nuk është vetëm faji i tij dhe nuk e di nëse ekziston edhe një aspekt psikologjik që duhet analizuar për t’i dhënë një shpjegim këtij momenti. Në pushimin e pjesës së parë kam folur me lojtarët, duke i informuar edhe për zëvendësimet që mund të bëja. Ronaldinjo është futur mirë në ndeshje, Huntelar është munduar të bëjë detyrën e tij në zonën e rreptësisë. Gjithsesi, renditja mbetet një problem për ne dhe duhet të dimë të reagojmë në mënyrën e duhur pas kësaj humbjeje, ajo nuk duhet të na kushtëzojë në asnjë mënyrë”. Në fund Leonardo ka pranuar edhe zhgënjimin e tij. “Po, jam shumë i zhgënjyer, ashtu si pas derbit”. Nuk duhet të ketë frikë ta thotë, edhe me zë të lartë: për t’u ringritur në të vërtet ky Milan ka nevojë të kuptojë se ka rënë shumë poshtë.