Presidenti zikaltër është shprehur i kënaqur për fitoren e arritur të mërkurën kundër NapolitKa qenë një ditë e enjte e bukur për Masimo Moratin, pas fitores bindëse që zikaltrit kanë arritur të mërkurën në mbrëmje kundër Napolit. Presidenti i Interit ka shijuar një Milito dhe një Eto në formë të shkëlqyer, që mund ta çojnë shumë larg këtë skuadër me golat e tyre: “Nëse e prisja ta shikoja Militon në këtë formë? Po, e prisja”, është përgjigjur i kënaqur numri një i zikaltërve. Kjo dyshe është një fabrikë e vërtetë goli dhe ka hapur një përballje shumë stimuluese për Moratin: më mirë dy lojtarët e tij të rinj apo i larguari Ibra me argjentinasin Mesi, që pëlqehet shumë nga Interi? “Sigurisht, edhe ata të dy janë të fortë”, ka qeshur Morati, që më pas është rikthyer të flasë për kampionatin: “Ishte shumë e rëndësishme që të merrnim një fitore kundër Napolit, - ka thënë ai -. Në javët e ardhshme do të zhvillojmë një ndeshje çdo dy-tre ditë, kështu që duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur. Pa harruar edhe Championsin”. Në të vërtetë, askush si ai, Diego Milito! 36 ndeshje në Serinë A dhe 29 gola, për një mesatare marramendëse prej 0,81 realizimesh për ndeshje.
As legjenda Gunar Nordal, sulmuesi i papërmbajtshëm i treshes së Milanit Gre-No-Li të viteve ‘50-të, nuk ka arritur të bëjë më mirë se kaq. 225 gola, me të vërtet shumë, të shpërndarë në 291 ndeshje për një mesatare pak më të vogël se ajo e “Princit” zikaltër: 0,77. Ka pak mundësi që Milito të shënojë të njëjtin numër golash në karrierën e tij, - tjetër futboll në atë kohë, mbrojtje më të hapura -, por gjithsesi po shijon këtë rekord të shkëlqyer, që e bën më të mirë edhe se “Fenomeni” Ronaldo, që me fanellën zikaltër ka realizuar 49 gola në 69 ndeshje për një mesatare prej 0,72 golash për ndeshje. Më pas, befasisht nga Morati, ka ardhur një koment pozitiv për rivalët e përhershëm të Milanit, që është mposhtur 1-0 në Udine, mbrëmjen e të mërkurës, dhe që tani ndodhet në -6 pikë nga Interi: “Kampionati sapo ka filluar. Gjithçka është ndryshe këtë vit, nëse do të isha një tifoz i Milanit nuk do të dëshpërohesha shumë. Më pas lojtarët nuk i mungojnë dhe kanë një trajner të zgjuar”. Dhe, pasi është mbyllur dhe çështja e vërshëllimave raciste ndaj Balotelit (”Nga Kaljari kanë ardhur përgjigje të qeta, as unë nuk kam bërtitur: mendoja se kishte një rregull të vendosur nga UEFA që mesa duket nuk ekziston”), presidenti zikaltër mund të shijojë golat e Militos dhe Etosë.