24 shtator 2009

Liria kthehet me një pikë

Futbollistët e Lirisë nga Prizreni importojnë një pikë si mysafirë në përballje me Ferizajn. Ballafaqimi Ferizaj-Liria përfundoi me rezultat 1:1. Adhuruesit e futbollit në Ferizaj kishin pritur një lojë më cilësore dhe të fortë, por kjo nuk ndodhi. Ferizaj pas fitores në Mitrovicë përballë Trepçës, ndeshjes me Lirinë iu qasën më një motiv të madh për të arritur edhe fitoren e radhës. Kjo matematikë e ferizajasve nuk ndezi me Lirinë, e cila gjithmonë iu shkakton kokëçarje. Në pjesën e parë, Ferizaj luajti dobët, pa ndonjë rast të mirë shënimi, ndërsa skuadra mysafire nëpërmjet kundërsulmeve sfidonte portën e rivalit. Në minutën e 20-të, futbollistët e Lirisë kurorëzuan rastin e parë me gol. Kapiteni Krusha më zhdërvjelltësi iu shmanget mbrojtjes së ferizajasve, duke shënuar golin e epërsisë, 0:1. Liria sërish pati rast për të shtuar epërsinë, por futbollisti i sapoardhur nga Kenia, Ogbannanaya, doli i vetëm përballë portierit Afrim Ajdini, mirëpo, ky i fundit shpëtoi golin e sigurt. Gjatë pjesës së dytë, Ferizaj dominon në fushë, ndërsa Liria u tërhoq në mbrojtje. Ferizajasit krijuan disa raste të mira dhe njëri nga ta e konkretizuan në minutën e 76-të. Sulmuesi Livoreka e shërbeu zëvendësuesin Burim Çerkinin, i cili më dinakëri e tij barazoi rezultatin 1:1. Në minutën e 88-të, kur pritej gol për Ferizajn, Hoxha dështoi nga një pozitë e pastër. Kryetrajneri i Lirisë, Erdogan Celina, ishte i kënaqur me barazim dhe sipas tij, lehtë kanë mundur edhe të fitojnë ndeshjen. “Në radhë të parë konsideroi se loja ishte e fortë dhe korrekte. Morëm një pikë më meritë nga Ferizaj”, tha Celina. Ndërkaq, kryetrajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, edhe me barazim ka qenë i kënaqur, duke marrë parasysh tërë rrjedhën e lojën që është zhvilluar për 90 minuta.

Ferizaj-Liria 1:1 (0:1)

Stadiumi i qytetit “Ismet Shabani”, Ferizaj.

Shikues: 800.

Gjyqtarë: M. Ferati, A.Peshteri, F. Agërbashi.

Shënues: Çerkini (76’) për Ferizajn dhe Krusha (20’) për Lirinë.

K.V: Alili, Livoreka (Fer.) Sulollari(Lir.).

Ferizaj: Ajdini, Lubishtani, Alili, Rexhepi, (Çerkini), Tafa, Gashi, Berisha, Haliti, Hoxha, Livoreka dhe Topalli (Shabani).

Lirija: Ruxhi, Çarkaxhiu, Gjananovic, Duraku, Berisha (Senaj) Sulollari, Krusha, Doçi, Mullalari, Karahoda (Isaja) dhe Ogbannaya (Guci).