24 shtator 2009

Drenica triumfon ndaj kampionit

“Gjykimi nga ana e gjyqtarit ka qenë skandaloz”, tha Besnik Kollari, kryetrajner i Prishtinës.
Skuadra e Drenicës nga Skenderaj arkëtoi tri pikë tejet të rëndësishme para adhuruesve të vet, duke gjunjëzuar me rezultat 2:1 kampionin në fuqi, Prishtinën, në kuadër të javës së tetë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Drenica të parët sulmuan në drejtim të portës rivale, por Vojvoda nga afërsia dështoi në minutën e 12-të. Pas dy minutave lojë, gabimin trashanikë të futbollistit Lushtaku e ka shfrytëzuar më mençuri Sërmaxhaj, duke sjellë në epërsi Prishtinën, 0:1. Në minutën e 29-të, Gashi nga gjuajtje e lirë rreth 20 metrave qëlloi shtyllën e kampionit. Mikpritësit konsolidohen në lojë dhe me veprime të rrjedhshme arrijnë te goli i barazimit. Dugagjin Gashi sërish gjuajti furishëm nga rreth 25 metra dhe njëri nga mbrojtësi e skuadrës rivale ia ndërroi drejtimin topit dhe barazohet rezultati 1:1. Në pjesën e dytë të lojës, Drenica e deshi më shumë fitoren. Plepolli dinak, dërgon një goditje të furishme nga pozita e korrnes dhe më së miri në atë tollovi gjendet futbollisti Muji, i cili më kokë mposhti portierin Statovcin dhe 2:1 për Drenicën. Kryetrajneri i Drenicës, Valdet Shoshi ishte i kënaqur me lojën e futbollistëve të tij. “Skuadra jonë pësoi gol nga një pakujdesi, megjithatë ky gol nuk i demoralizoi futbollistët tanë. Luajtëm më mirë se kampioni dhe fituam me meritë ndeshjen”, tha Vokshi. Besnik Kollari, kryetrajner i Prishtinës, ka qenë i pakënaqur në ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari i ndeshjes. “Nuk kam çka të them, shkurt kam vërejtje në referim, i cili për mua ka qenë skandaloz. Megjithëkëtë, Drenicës i uroi fitoren dhe falënderoj për mikpritje”, tha Kollari.

Drenica-Prishtina 2:1 (1:1)

Stadiumi “Bajram Aliu”, Skenderaj.

Shikues: 1000.

Gjyqtarë: Tahiri, Baliqi, Rraci.

Shënues: Gashi (29’), Muji (54’) për Drenicën dhe Sërmaxhaj (14’) për Prishtinën.

K.V: Bajraktari, Muji (Dr.), Vokshi (Pr.).

Drenica: Shosholli, Hajdari (Zhabolaj), Geci, Lushtaku, Gashi, Jashari, Bajrakatri, Plepolli, Haliti (Behrami), Muji dhe Vojvoda (Milica).

Prishtina: Miftari (Statovic), Krasniqi, Berisha, Vokshi (Saliagiq), Maliqi, Llumnica, Sërmaxhaj, Hasani, Fazliu, Alievski dhe Liman (Dajaku).