25 shtator 2009

De Laurentis shpërthen, Donadoni në rrezik

Presidenti i Napolit ka shprehur zemërimin e tij pas humbjes në “San Siro”
Hidhërim dhe zemërim, por edhe vetëdija se nuk duhet të rrëmbehesh nga inate të momentit, që shpesh çojnë në vendime të nxituara, madje edhe të gabuara. Kjo është gjendja shpirtërore e Aurelio De Laurentis, president i Napolit, i cili ka shfryrë zemërimin e tij kundër ekipit në dhomat e zhveshjes, pas përfundimit të pjesës së parë të takimit Inter-Napoli, që është zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në “San Siro” dhe që e ka çuar skuadrën napoletane në vendin e parafundit në renditje me vetëm 4 pikë në pesë ndeshjet e para të kampionatit italian. “Donadoni? Nuk mund të ndryshohet trajneri çdo 5 ndeshje”, ka thënë presidenti. Domethënë, për momentin tekniku do të qëndrojë në vendin e tij, por në dy ndeshjet e ardhshme kundër Sienës dhe Romës do të jetë në lojë e ardhmja e tij. “Fati im është në duart e presidentit, nuk jam i shqetësuar”. Me këto fjalë, Roberto Donadoni, ka dashur të ulë tensionin pas humbjes së shëmtuar të pësuar kundër zikaltërve të Mourinjos.
“Më vjen shumë keq për skuadrën, që nuk e meriton këtë moment kaq të vështirë, duke parë se jep maksimumin në çdo takim”. E sigurt është se Napoli, siç ka pranuar edhe tekniku i këtij ekipi, nuk arrin të çlirohet nga ajo pasiguri, që duket se i shoqëron lojtarët në veçanti gjatë ndeshjeve në transfertë, që në këtë sezon janë mbyllur me tri humbje në po kaq përballje. Ndërkohë, presidenti De Laurentis, pas një sërë investimeve të rëndësishme në merkaton e verës, duket se e ka humbur durimin dhe tani synon t’i bëjë një analizë të detajuar situatës që po kalon klubi i tij. Edhe dy javë të tjera në kampionat. Kjo duket se është koha që presidenti napoletan do t’i lejojë trajnerit të tij, me shpresën që skuadra ndërkohë të rigjejë motivimin e duhur, duke u rritur në aspektin kolektiv dhe përsa i përket personalitetit që në këtë fillim sezoni ka lënë shumë për të dëshiruar.