05 shtator 2009

Shkon Bajramaj, bie Asllani

Përfaqësuesja e Gjermanisë – ku luan edhe futbollistja kosovare, Fatmire Bajramaj – është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të futbollit për femra, i cili po mbahet në Finlandë, pasi të premten e ka mposhtur Italinë me rezultat 2:1.
Fatmire Bajramaj nuk është inkuadruar fare në këtë ballafaqim. Skuadra e saj ka kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 4-t me golin që e ka shënuar Grings. E njëjta futbolliste shënoi gol edhe në minutën e 47-të, për ta rritur epërsinë e Gjermanisë në 2:0. Ndërsa, Italia ngushtoi epërsinë e Gjermanisë në 2:1 në minutën e 63-të, dhe realizuese ishte Panico.
Ndërsa, Suedia – ku luan Kosovare Asllani – është eliminuar në çerekfinale të këtij Kampionati Evropian, pasi u mposht nga Norvegjia me rezultat 1:3. Kosovare Asllani ka luajtur gjatë gjithë këtij takimi. Golat për Norvegjinë i kanë shënuar Segerstrom në minutën e 39-të, Giske në minutën e 44-të dhe Pedersen në minutën e 60-të. Kurse golin e vetëm për Suedinë e ka realizuar Svensson në minutën e 80-të të ndeshjes.