25 shtator 2009

Genoa ndal Juventusin

Zonja e Vjetër ka arritur të nxjerrë vetëm një pikë në ndeshjen shumë të vështirë të zhvilluar si mysafir i Genoas.

Ndeshja kryesore javës së pestë në Serie A, e zhvilluar në Stadio Ferraris ndërmjet Genoas dhe Juventusit ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 2-2.

Të parët në epërsi kaluan Bianconerët pas një goli të bukur të realizuar nga Vincenzo Iaquinta në minutat e para të ndeshjes (6’).

Mirëpo vendasit i ktheu në lojë Giandomenico Mesto, i cili në minutën e 31-të barazoi rezultatin, për t’i dërguar skuadrat në pushim me shifrat 1-1.

Edhe pse në pjesën e dytë, bardhezinjtë ishin dominues, Genoa arriti të kalojë në epërsi me anë të sulmuesit argjentinas Hernan Crespo (75’), i cili mposhti Gigi Buffonin me kokë.

Katër minuta pa përfunduar koha e rregullt (86’), në skenë u shfaq David Trezegol, i cili u shërbye nga Giorgio Chiellini për ta barazuar rezultatin në 2-2, dhe ky ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Me një pikë të fituar, Juve barazohet me Interin në krye të tabelës me 13 pikë, ndërsa Genoa ngjitet në kuotën e 10 pikëve aq sa kanë Fiorentina dhe Parma.