24 shtator 2009

Gasperini tregon “recetën” anti-Juventus

Receta ka katër përbërës shumë të thjeshtë: cilësi, vendosmëri, entuziazëm dhe tifon e publikut. Xhian Piero Gasperini vë në shënjestër Juven dhe përgatit “kurthin” për bardhezinjtë. “Janë përforcuar shumë në krahasim me sezonin e shkuar, - pranon trajneri i Xhenoas, - por mund të munden me publik, entuziazëm, cilësi e vendosmëri. Madje edhe me pak besim më shumë për një ekip si ne që vjen nga suksesi i vitit të shkuar”.
Që do të thotë se Juvja të frikëson, por në “Marasi” nuk do të jetë e lehtë as për kryesuesen. “Duam të luajmë një ndeshje të bukur kundër një skuadre të madhe, - shpjegon Gasperini. - I kemi të gjitha mundësitë, do të jetë një garë e fortë. Publiku dhe entuziazmi do të jenë armët tona më të forta. Juvja është forcuar shumë me blerje të mëdha si Diego, Melo e Kanavaro. Ka cilësi të mëdha, dhe një ecuri prej katër fitoresh radhazi që flet vetë.
Është një skuadër shumë e fortë, por ne duhet të shfrytëzojmë gabimet e kundërshtarit.” Duke qendruar te “përbërësit” gjenovezë, duhen kuptuar cilët janë interpretuesit: “Ndaj Kievos luajtën Flokari, Kharzha e Palasio, - saktëson trajneri i Xhenoas, - ose tri blerjet tona më të shtrenjta. Këtu duhet kuptuar cilat janë objektivat tona. Nëse një nga këta duhet të marrë skuadrën për dore, nuk duhet fajësuar si në humbjen e fundit apo t’i ekzaltojmë kur fitojmë jashtë.
Skuadrat e mëdha zakonisht kanë dy organika, ne nuk i kemi këto dhe kemi nevojë të përfshijmë dhe vlerësojmë të rinjtë, siç ndodhi me Boketin, që vitin e shkuar erdhi nga Seria B”. Kundër Juventusit nuk do të luajnë sot Krishito dhe i dëmtuari Juriç. “Nuk kemi dyshime të mëdha mbi formacionin, - shpjegon Gasperini, - nuk kemi shumë alternativa dhe disa role në fushë janë të sigurt. Për të zëvendësuar Krishiton kemi disa zgjedhje dhe do të zgjedhim më të mirin”.