Trajneri bardhezi i krahason gjenovezët si kundërshtarë me cilësi. Del Piero e Diego mungojnë sërishNdeshja me Xhenoan është e njëjtë sikundër ndaj Romës dhe Lacios. Xhenoa është tashmë një realitet në kampionatin tonë dhe publiku i “Marasit” do t’i nxisë kuqeblutë të japin maksimumin. E dimë që do të jetë shumë e vështirë”. Trajneri i Juventusit, Çiro Ferrara, e paraqet kështu ndeshjen e sotme të Juventusit kundër skuadrës së Xhian Piero Gasperinit. Ferrara ka riaftësuar Felipe Melon, por nuk mund të besojë akoma te Del Piero dhe Diego: “Të dy nuk do të nisen me skuadrën, - pranon trajneri bardhezi për kapitenin dhe brazilianin, - por shpejt do t’i kem të gatshëm”.
Ndaj kolegut Gasperini, Ferrara lëshon edhe një “thumbim” të vogël. Trajneri gjenovez ka pohuar se e çmon Ferrarën, por ka nënvizuar mungesën e përvojës së ish-mbrojtësit të kombëtares dhe të Leonardos nga ana tjetër si trajner i Milanit: “E kuptoj që ka dashur të mbrojë një kategori, por dua të nënvizoj, - tha krenar Ferrara, - që tek ajo kategori bëj pjesë në mënyrë të vetëdijshme dhe po jap maksimumin
. Duke thënë këtë, e kuptoj që fakti që ulem për herë të parë si trajner në një stol si ai i Juventusit, mund të shqetësojë ndonjë, këtë e kuptoj. Është thuajse e natyrshme, sepse ky është një stol që çmohet nga të gjithë”, - shpjegoi Çiro, duke iu referuar zërave dhe ambicies së Gasperinit në verë për të drejtuar Juventusin.
Kundër Xhenoas së “rivalit” Gasperini, emergjenca e dëmtimeve mund ta detyrojë teknikun juventin të përshtasë modulin e lojës, duke kaluar nga skema 4-3-1-2 te më klasikja, 4-4-2: “Të gjithë e kanë parë Juven të niset në një mënyrë të vendosur në fushë dhe e keni parë se gjatë ndeshjes, diçka mund të ndryshojë për të përmirësuar lojën tonë, - shtoi ai. - Nuk duhet të përqendrohemi në atë që është vetëm një modul.
Në nivele të tilla, sigurisht çdo skuadër, ka filozofinë e saj, mënyrën e saj, një metodë për të cilën punon për të luajtur në fushë në një mënyrë ndryshe. Por pastaj është fusha ajo që flet. Ndonjëherë, edhe gjendja e lojtarëve, nuk të lejon të bësh gjëra vendimtare. Çdo trajner bën zgjedhje, por të ndryshosh modul nga frika e kundërshtarit nuk e shoh si një shenjë dobësie. Mund të konsiderohet një shenjë respekti”, - përfundon trajneri Ferrara.