24 shtator 2009

Seria A në krizë, ulet numri i shikuesve

Në krahasim me vitet e kaluara, në këtë sezon numri i të abonuarve, në kampionatin italian bie me 22 mijë
Rikthimi i tifozëve në stadium është ndalur që tani. Shifra e parë zyrtare që jep ky sezon, në lidhje me të abonuarit e 20 klubeve të Serisë A, thotë se këtë vit kampionati italian ka humbur mbi 22 mijë “spektatorë të sigurtë”. Mesatarisht, janë 1.100 abonime më pak për çdo klub. Në sezonin 2009-10 numri total i të abonuarve ishte pak më shumë se 340 mijë. Shtatëmbëdhjetë klube (nga 20) e kanë mbyllur tashmë fushatën e abonimeve: vetëm Interi (e mbyll më 20 tetor), mund të ndihmojë në përmirësimin e këtyre shifrave.
Por janë shifra, mbi të cilat mund të arsyetohet. Shenja e parë negative pas skandalit “Calciopoli”. 22 mijë abonentë më pak është një e dhënë serioze. Sinjalizon një rënie të ndjeshme në krahasim me shtimin e spektatorëve në dy sezonet e kaluara, ato pas “Calciopoli”-t, pika më kritike e futbollit italian. Nga momenti më i keq në vjeshtën e 2007-ës, ku të abonuarit kanë qenë 284.258, në dyvjeçarin pasardhës numri i spektatorëve ka qenë gjithmonë në rritje. Por përhapja e krizës ekonomike ka ndikuar në frenimin e kësaj rritjeje.
Dhe merkatoja e varfër e të paktën katër klubeve të mëdha në verën e 2009-ës (edhe kjo pasojë e krizës ekonomike), ka qenë një tjetër faktor, që ka ndikuar negativisht në lëvizjen e përgjithshme. Eshtë rasti të kujtojmë se në vitin 1992 arrihej në kuotën e 402 mijë të abonuarve me një kampionat me 18 skuadra (dy më pak se tani). Dhe kjo kuotë prekej edhe në fundin e viteve 90-të. Dhjetë vite me të drejta televizive, dhunë dhe dëmtim të fuqisë blerëse, i kanë hequr futbollit 60 mijë abonentë.
RENIA E MILANIT - E dhëna më e qartë, këtë vit, është rënia e Milanit: ka humbur 17 mijë abonues, pjesërisht të ndikuar nga shitja e vuajtur e Kakasë tek Reali i Madridit. Milani, që kryesonte renditjen e klubeve me numrin më të madh të të abonuarve në sezonin e kaluar, ka rënë në vendin e tretë. Dhe të abonuarit e 2009-ës, - më pak se 26 mijë -, janë kthyer në një dështim të bujshëm nëse krahasohen me mesataren e viteve 90-të, vitet e Milanit të hollandezëve. Ulja e çmimit të biletës nuk ka shërbyer për t’i ngritur moralin tifozëve kuqezinj të dëshpëruar.
INTERI NE KRYE - Interi vazhdon të rritet dhe është bërë skuadra e parë në Itali për numrin e të abonuarve. Një fushatë e fortë marketingu, - paguhen 10 ndeshje dhe shikohen 19 -, plus një merkato që ka eklipsuar largimin e Ibrahimoviçit, kanë bërë që zikaltërit të kalojnë kuotën e 40 mijë abonuesve. Gjithsesi, mbetemi akoma larg nga rekordi i sezonit ‘98-’99, skuadra e Roberto Baxhios dhe Ronaldos: 58.410 të abonuar.
KLUBET ME DEFIÇIT - Zhgënjimet e njëpasnjëshme dhe çmimet e larta kanë qenë faktorët, që kanë ndikuar në rënien e numrit të të abonuarve për tre ekipe të tjera të mëdha. Sipas radhës, Fiorentina (-4.842), Roma (-3.700) dhe Napoli (-3.000). Tre klube të mëdha në vështirësi. Presidenti De Laurentis në lidhje me këtë çështje ka qenë i pavendosur: në fillim ka menduar të mos e hapë fushatën e abonimeve, më pas ka autorizuar një rritje mesatare të çmimeve me 30 përqind dhe, pasi janë parë rezultatet, - 20 mijë abonime, shifër që nuk ka ndryshuar deri tani - ka kërcënuar: “Do të marr vendime të ashpra, do të mbroj investimin tim”. Nuk i ka shkuar mirë as Katanias: ka humbur 5.058 të abonuar, një të tretën. Keq edhe Bolonja: mbi dymijë “spektatorë të sigurtë” më pak.
RRITJA E LACIOS - Njëmbëdhjetë klube janë në rritje, nëntë në rënie. Të dhënat më të mira i ka klubi i Barit, gati shtatëmijë të abonuar më shumë. Rritet edhe Lacio, që ka nxjerrë në merkato një abonim “under 14″ me çmimin simbolik 1 euro (do t’i shkojë në ndihmë baballarëve, që duan të shkojnë në stadium bashkë me fëmijët). Me 26.500 të abonuar klubi bardhekaltër ka kaluar Romën, duke marrë kështu vendin e dytë në Serinë A, mbrapa Interit.
REKORDI I XHENOAS - Nëse Juventusi nuk mund të kalojë numrin e 18 mijë të abonuarve në brendësi të një stadiumi, “Olimpiko” i Torinos, që mund të mbajë 24 mijë, duhen rregjistruar të dhënat pozitive që vijnë nga qyteti i Gjenovës: numri i të abonuarve në rritje në të dyja krahët. Xhenoa duke prekur kuotën 24.300 ka shënuar një rekord historik: abonimeve në kampionat, më pas, i duhen shtuar edhe 15 mijë mini-abonimet e tjera për tri ndeshjet në Ligën e Europës. Sampdoria ka shkuar në kuotën e 20.400 abonimeve, një rritje më e përmbajtur.
VERONA KALON KIEVON - Livorno i ka kaluar ndjeshëm nivelet e vitit të fundit kur ka marrë pjesë në Serinë A (2007-08), Parma ka shtuar numrin e abonimeve, duke i ofruar tifozëve udhëtime në parkun e lojërave të Riçiones dhe Udineze garanton ulje çmimesh për ata që janë me asistencë. Në fund, Kievo turpërohet pasi zbulon se në Lega Pro, dy kategori më poshtë se Seria A, Hellas Verona e ka mbyllur fushatën e abonimeve pothuajse duke dyfishuar numrin e rivalëve: 10.447 kundër 6.954.