22 shtator 2009

Diego: Duam të fitojmë kampionatin

Fantazisti brazilian beson se bardhezinjtë mund të kenë sukses në Serinë A

Talenti brazilian, në pritje për t’u rikthyer në fushë, i ka bërë komplimentat shokëve të skuadrës pas fitores së katërt rradhazi të arritur në kampionat kundër Livornos. Diego Ribas da Kunja pret me padurim të rikthehet. Fantazisti bardhezi të shtunën në mbrëmje i ka ndjekur nga tribuna shokët e tij, që kanë koleksionuar suksesin e katërt rradhazi. Një sukses ky që ka përforcuar bindjet e mesfushorit të avancuar brazilian për skuadrën e tij të re: “Kam kuptuar se zgjedhja ime për t’u transferuar tek Juventusi ka qenë shumë e goditur, - ka thënë Diego. - Jam shumë i kënaqur për fitoren kundër Livornos, edhe pse fatkeqësisht nuk kam qenë në dispozicion të ekipit.

Kemi zhvilluar një lojë të bukur, kam parë se shokët e mi të skuadrës kanë qenë shumë të motivuar, kanë hyrë në fushë të vendosur për të siguruar tri pikët”. Talenti 24-vjeçar, pret me padurim të rikthehet dhe t’i japë ndihmën e tij Juventusit: “Vazhdojmë të mbajmë kreun e renditjes. Kështu duhet të jetë, - ka shtuar Diego. - Sepse jemi të përqendruar, të vendosur për ta fituar kampioantin dhe më duket se po bëjmë gjithçka në mënyrën e duhur. Pres me padurim të kthehem në fushë edhe unë, në mënyrë që të jap kontributin tim për të ecur përpara me këto ritme në kampionat, dhe për ta bërë një gjë të tillë edhe në Champions Ligë”

. Të ishte për Diegon, ai do të kishte luajtur edhe kundër Livornos. Por stafi mjekësor i bardhezinjve po tregohet shumë i kujdesshëm në lidhje me këtë. Ka shumë mundësi që trajneri Ferrara mund ta vërë në provë të enjten në mbrëmje në transfertën delikate që do të zhvillohet në fushën e Xhenoas, edhe pse kujdesi në raste të tilla nuk është asnjëherë i tepërt. Numri 28 ka disa shqetësime në kofshën e majtë, që janë shkaktuar nga një goditje e marrë në takimin kundër Lacios, 12 shtatorin e kaluar. Problemi duket i zgjidhur, por do të ishte pothuajse një “krim” të rrezikohej një përkeqësim i gjendjes fizike të lojtarit.