22 shtator 2009

Juventusi, Ferrara më mirë se Kapelo

Një start kaq të mirë në kampionat Juventusi nuk e ka patur as kur në drejtim ishte “Don Fabio”

Katër fitore në katër ndeshjet e para të kampionatit për Juventusin. Dhe një pjesë e meritës i takon padyshim Xhixhi Bufonit, që është rikthyer në formën e tij më të mirë, edhe pse ai vetë thotë: “Nuk jam rikthyer, sepse nuk jam larguar asnjëherë”. Gjithsesi, edhe ndeshja e së shtunës ka sjellë diçka të re.

E para “përforcon besimin në forcat tona”, ka saktësuar numri 1 i bardhezinjve. Eshtë historia e një starti të shkëlqyer të sezonit: 4 javë kampionat dhe vetëm një gol i pësuar. Ajo e bardhezinjve është mbrojtja më e mirë e gjithë Serisë A. Katër javë kampionat dhe Juvja ndodhet në kreun e renditjes, bashkë me Sampdorian.

Dy skuadra që udhëheqin me pikë të plota. Nuk ndodhte prej 33 vitesh, sezoni 1976-77. Në atë kohë me bardhezinjtë ishte Torino. Në fund kampionatin e fitoi Juvja: 51 pikë, kundër 50 të rivalëve të përhershëm. Statistika të tjera. Vetëm një gol i pësuar në 360 minuta lojë në kampionat.

Ka ndodhur në sezonin 2004-05, Juventusi i Kapelos: atëherë golin e parë e ka pësuar nga Palermo, mbaroi 1-1 dhe ishte ndeshja e katërt. “Në Champions për të shënuar kundër nesh është nevojshme të shfrytëzojnë pozicionin jashtëloje”, ka qeshur Bufon. Në kampionatin e tij të parë si titullar, me Parmën, sezoni 1997-98, Bufon ka pësuar 3 gola në 4 ndeshjet e para. Pathyeshmëria e tij përfundoi në javën e dytë, kundër Atalantës.

Takimi u mbyll 2-2. Dygolësh për bergamaskët nga Kristiano Lukareli. Një lojtar që, të shtunën në mbrëmje, me fanellën e Livornos, ka parë t’i mbyllet rruga në të paktën tre raste të pastra. Në fund ka thënë: “Xhixhi është portieri më i fortë në botë. Për fat me të përballemi vetëm dy herë gjatë kampionatit”. Starti i mirë i këtij sezoni ka qenë edhe më pozitiv se ai i sezonit 2001-02, viti i parë i Bufonit tek bardhezinjtë. Dy gola në 4 ndeshjet e para, të pësuar në javën e tretë, kundër Kievos.

FERRARA - Pasi është siguruar fitorja e radhës kundër Livornos, për Juventusin e Çiro Ferrarës ka ardhur momenti për të përgatitur ndeshjen delikate kundër Xhenoas së Gasperinit, që do të zhvillohet të enjten në mbrëmje. Deri tani bardhezinjtë, me përjashtim të barazimit në Champions Ligë kundër Bordosë, kanë marrë pikë të plota, duke i dhënë mundësinë trajnerit të ri të krahasohet me Fabio Kapelon, që në 2005 ka arritur rezultate më të dobëta dhe në 2006 ka “barazuar” ecurinë e skuadrës së Çiros. Para epokës Ferrara, nëntë herë të tjera Juventusi ka patur një start të këtij lloji, që në shtatë raste i ka lejuar të shkojnë drejt titullit kampion.

Por pavarësisht nga kjo për Çiro Ferrarën ka akoma punë për të bërë: “Të shtunën ka patur më shumë rëndësi rezultati, por ne i kemi lejuar shumë raste Livornos. Edhe ne kemi krijuar shumë, me Iakuintën dhe Trezegenë mund ta kishim thelluar rezultatin”.

Megjithatë, pavarësisht nga këto deklarata, është folur për një Ferrara shumë kritik në dhomat e zhveshjes: (”Duke luajtur në këtë mënyrë titullin kampion mund ta harrojmë”) për shkak të shumë gabimeve në mbrojtje që nuk kanë krijuar probleme vetëm falë formës së shkëlqyer të Xhixhi Bufonit. Një qëndrim ky, ai i të qenit gjithmonë i pakënaqur, realist, për të kërkuar maksimumin nga ekipi, që trajneri napoletan e ka trashëguar nga mësuesi i tij Marçelo Lipi.