23 shtator 2009

Babai i Lorik Canës, një vit burg

Agim Cana, babai i mesfushorit të mirënjohur të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, njëherit menaxher i tij, ka bërë ankesë ndaj dënimit me një vit burgim me kusht.Vendimi i dhënë nga Gjykata e Marsejës në fillim të këtij muaji, u kundërshtua edhe nga ish-menaxheri i Olimpik Marsejës, Kristof Mongai, raporton Top Channel.Përveç burgimit, Agimi, një prej lojtarëve të “brezit të artë” të Prishtinës në vitet ‘80, ishte gjobitur edhe me 100 mijë euro gjobë, për shkak të parregullsive në kalimin e Lorikut nga Paris Saint Zhermen tek Olimpik Marseja në vitin 2005. Ai akuzohej për falsifikimin e dokumentacionit dhe se në bashkëpunim me ish-menaxherin Kristof Mongai ka dëmtuar klubin parisien, duke përfituar 131.800 euro komision nga transferimi. Ndërkohë, gjykata hodhi poshtë akuzat se Agim Cana kishte kërcënuar ish-drejtorin sportiv të PSG-së, Zhan-Mishel Mutier, që të përshpejtonte procedurat e shitjes së lojtarit kuqezi.