11 maj 2011

Del Neri largohet, Juventus i telefonon Luis van Galit


Te Juventusi mbizotëron një atmosferë shumë negative pas barazimit me Kievon. Dy golat e pësuar në harkun e 60 sekondave nxorën përfundimisht bardhezinjtë nga gara për një vend në Champions League, ndërsa kjo duket se ka vulosur largimin e trajnerit Luixhi Delneri.

Fjalët e drejtorit të përgjithshëm, Marota, i kanë dhënë goditjen përfundimtare drejtuesit të stolit: “I kemi idetë shumë të qarta dhe për të mirën e Juventusit do të veprojmë me shpejtësi. Do të marrim një vendim që prej javës së ardhshme”. Por, një tjetër problem është se “Zonja e Vjetër” rrezikon seriozisht edhe vendin në Europa League.

Ndërkohë, mediat italiane shprehen të sigurta që klubi ka nisur të kërkojë një drejtues të ri për stolin. Përflitet për një takim misterioz me teknikun e Napolit, Valter Maxarri, ndërsa “Corriere dello Sport” rikthen pistën Luis van Gal. Kjo gazetë shkruante se pasi kanë negociuar me Spaletin dhe Mançinin, drejtuesit e Juventusit kanë pasur një bisedë me strategun holandez, që së fundmi është larguar nga stoli i Bajernit të Mynihut.
/JUVENEWS.TK/