02 janar 2010

Speciale / 10 talentet e humbur të dekadës

Në fillim të dhjetëvjeçarit që sapo lamë, ata konsideroheshin si yjet që do të pushtonin botën e futbollit. Por në fakt, asgjë e tillë nuk ndodhi. Madje disa prej tyre janë me fat që ua mbajmë mend emrin për t’i përfshirë në këtë listë.

10. Marcel Ketelaer.
Ketelaer ishte një nga emrat më të lakuar në futbollin gjerman të para dhjetë viteve. Pas disa paraqitjeve të shkëlqyera me Borusia Mynshengladbahun dhe me kombëtaren gjermane U-21, ai u ble nga Hamburgu në verën e vitit 2000 për shumën e 5 milion Markave gjermane. Ketelaer ishte një mesfushor teknik dhe i fuqishëm dhe në ndeshjen e parë në Europë me fanellën e Hamburgut, ai debutoi me gol në barazimin 4-4 përballë Juventusit.

Por më pas gjithçka shkoi keq. Dalëngadalë e humbi vendin e titullarit te Hamburgu, që u detyrua ta huazojë sërish te klubi i parë, Mynshengladbahu. Por nuk mjaftoi me kaq, pasi paraqitjet e dobëta njëra pas tjetrës e detyruan edhe ekipin gjerman ta çojë te Nurembergu. Gjatë katër viteve të fundit, ai luajti në kampionatin austriak. Tashmë, në moshën 33-vjeçare, pasi Rapidi i Vjenës e konsideroi të panevojshëm, është në kërkim të një klubi tjetër.

9. Marat Izmailov.
“Ylli” i Izmailovit u ngrit në fare pak kohë. Në më pak se gjashtë muaj, ai kaloi nga rezervat e Lokomotivës së Moskës, në kombëtaren e Rusisë. Në vitin 2001, konsiderohej si futbollisti rus me të ardhme më të ndritur. U zgjodh si lojtari i ri më i mirë i vitit, u grumbullua në kombëtaren e Kupës së Botës në vitin 2002 dhe ishte udhëheqësi i Lokomotivës në triumfin e po të njëjtit vit.

Izmailov ishte një organizator i shkëlqyer dhe me nuhatje të admirueshme goli. Por karriera e tij filloi të kushtëzohej nga dëmtimet e njëpasnjëshme, të cilat bënë që ai të mos përfundojë një sezon nga fillimi në fund. Në 2005, nuk e kishte më vendin e sigurt në formacionin fillestar dhe filloi të humbë vetëbesimin. Ndeshja e fundit me kombëtaren e Rusisë ishte në vitin 2006 dhe më pas u transferua te Sportingu i Lisbonës, me shpresën për të shpëtuar karrierën. Por as në Portugali nuk gjeti qetësi dhe në moshën 27-vjeçare, është vite dritë larg Andrei Arshavin, të cilin një herë e një kohë mendohej se do ta linte pas.

8. Richard Knopper.
A ju kujton gjë ky emër? Epo, në fillim të shekullit, Knopper ishte një nga talentet më të ndritura të Ajaksit, që konsiderohej si pasardhësi i Denis Berkamit dhe i Jari Litmanen, me të cilët mundohej të matej. Një organizator me vizion të gjerë për lojën, Knopper kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të dërguar topin në trekëndësh nga distanca të largëta dhe ishte pa dyshim një nga futbollistët më premtues në Europë në vitin 2000.

Por një dëmtim i rëndë e detyroi të humbasë pothuajse të gjithë sezonin pasardhës dhe trajneri asnjëherë nuk besoi plotësisht tek ai. Pas huazimit te Aris i Selanikut dhe Herenveni, ai u shit te Vitese dhe që prej vitit 2006, luan për Den Hag në kampionatin hollandez. Por fatkeqësia më e madhe e 33-vjeçarit është se nuk ka luajtur asnjë ndeshje ndërkombëtare. Gjynah, po të mbahet parasysh talenti i tij.

7. Javier Portillo.
Kur Portillo kaloi në ekipin e parë të Realit në moshën 20-vjeçare në vitin 2002, të gjithë mendonin se ai do të ishte Rauli i ri. Në sezonin e parë, megjithëse si zëvendësues, sulmuesi i ri shënoi pesë gola në dhjetë ndeshje në kampionat dhe tetë gola në Kupën e Mbretit. Kur ngrihej nga pankina për të bërë nxemjen, i gjithë “Bernabeu” thërriste në kor emrin e tij. Ai po bëhej idhull në Madrid.

Por largimi i trajnerit Visente Del Boske në verën e vitit 2003, praktikisht vrau ëndrrën që po bëhej realitet. Në sezonin e dytë, Portillo shënoi vetëm një gol, para se të huazohej te Fiorentina dhe më pas të Bryzhi, për të mos u kthyer më në Madrid. Me besimin e humbur në vetvete, ai u bë një lojtar stoli te Osasuna, pa qenë në gjendje të shënojë dhe duke i humbur rastet njëri pas tjetrit. Muajin e kaluar Portillo kaloi në formë huazimi te Hercules Alicante në Segunda Division. Në moshën 27-vjeçare, karriera e tij mund të konsiderohet e mbyllur.

6. Freddy Adu.
I lindur në Ganë, por me pasaportë amerikane, Adu ishte një nga lojtarët më të “përkëdhelur”. Që para se të bëhej 12 vjeç, shumë klube italiane e dëshironin. Në moshën 14-vjeçare, ai u bë lojtari më i ri në 100 vite që firmosi një kontratë profesionale me DC United. Shënoi golin e parë në kampionatin amerikan para se të mbushte të 15-at, por mendohet se rrethi i medias e vrau talentin e tij.

I ekspozar së tepërmi ndaj kritikave në një moshë fare të re, ai ishte i detyruar të dëgjonte parashikime jorealiste, që shkonin deri në atë pikë, sa e krahasonin me Pelenë. Transferimi tek Benfika në vitin 2007 nuk funksionoi kurrë dhe kur Adu u huazua te Monako një vit më pas, tashmë u bë një “ish”. Këtë sezon e filloi te skuadra e Belenenses, e fundit në renditjen e kampionatit portugez. Kur trajneri i ri i kësaj skuadre e bëri të qartë se Adu nuk ishte më i nevojshëm për ekipin e tij, janë të shumtë ata që mendojnë se karriera e tij ka marrë fund... në moshën 20-vjeçare.

5. Fabian Carini.
Karini është “shpresa e përjetshme e një portieri”. Uruguajani u shfaq në vitin 1999, kur ishte vetëm 19 vjeç, duke e ndihmuar kombëtaren e tij në Kupën e Amerikës me paraqitjet e shkëlqyera, sidomos në gjuajtjet e penalltive përballë Paraguajit dhe Kilit. Menjëherë e mori Juventusi, ku priti dy vite rresht në pankinë, pa luajtur asnjë ndeshje. Në vitin 2004 kaloi te Interi. “Portieri me të ardhme premtuese” qëndroi tre vite në “San Siro”, pa luajtur asnjë minutë.

As huazimi te Kaljari nuk e ndihmoi uruguajanin dhe kur ai vendosi të kalojë te një ekip më i vogël, ishte shumë vonë. Asnjë nga premtimet e tij nuk u realizua, madje ishte rezervë edhe te Mursia në Segunda Division. Tashmë, në moshën 20-vjeçare, portieri kaloi tek Atletiko Mineiro në Amerikën e Jugut, ndoshta për të mos u kthyer më në Europë.

4. Stefano Fiore.
Fiore nuk gjeti kurrë një rast të përshtatshëm tek Parma e madhe në fillimet e karrierës, por kalimi te Udineze në vitin 1999, e bëri atë një nga lojtarët më të përfolur në Serinë A. Një lojtar elegant me vizion fantastik për lojën dhe me pasime milimetrike, ai arriti shumë shpejt në majë, aq sa Dino Xof u detyrua të ndryshojë strategjinë e kombëtares së futbollit, duke e kaluar Totin në një pozicion më të avancuar dhe duke e ulur Del Pieron në stol, në mënyrë që të krijohej hapësira për “xhevahirin e sapozbuluar”.

Fiore debutoi me gol në Kampionatin Europian të vitit 2000, duke e udhëhequr Italinë deri në finale. Më pas, në verën e vitit 2001, kaloi te Lacio, që pagoi 20 milion euro për shërbimet e tij. Që aty filloi tatëpjeta. Alberto Zakeroni e përdorte jo në rolin e tij natyral, trajneri i ri i kombëtares, Trapatoni, nuk i besoi dhe një kalim shkatërrimtar tek Valencia në vitin 2004, rrënoi përfundimisht shpresat e tij. Karriera ndërkombëtare e Fiores mori fund pas Euro 2004 dhe huazimi në Itali nuk e ndihmoi të rigjejë formën. Tashmë, në moshën 34-vjeçare, ai luan për Kozencën në kategorinë e tretë italiane, duke pyetur veten se çfarë shkoi keq në rrugën e tij për t’u bërë i madh.

3. Francisco Pavon.
Emri i stoperit të ri filloi të përflitet shumë në atë që u quajt “Zidanët dhe Pavonët”, filozofia e Florentino Perezit në mandatin e parë te Reali. “Zidanët” ishin “galaktikët” e blerë për shuma marramendëse, kurse “Pavonët” djemtë e rinj vendas të dalë nga akademia e Kastiljes. I riu Paco Pavon, që kaloi në skuadrën e parë në vitin 2001, mendohej si pasardhësi i Fernando Hierros dhe mori besim të pakufizuar në fillimet e karrierës së tij në “Bernabeu”.

Por po bënte gjithnjë e më shumë gabime dhe trajnerët filluan të humbasin besimin në aftësitë e tij. Në vitin 2004 u ul në pankinë dhe një vit më pas, humbi plotësisht. Në 2007 kaloi te Real Zaragoza, por as aty nuk është në formacionin e parë. Kur luan, dikush mund të pyesë veten nëse ky mbrojtës i prirur të bëjë gabime, ishte vërtet shpresë për Realin e disa viteve më parë.

2. El Hadji Diouf .
Paraqitja mbresëlënëse e Senegalit në Kampionatin Botëror të vitit 2002, që arriti deri në çerekfinale, nuk ishte diçka rastësore dhe ylli i kësaj skuadre ishte një sulmues i ri mjaft i talentuar. I shpejtë, i patrembur, me teknikë të përsosur, Diouf u bë tmerri i çdo mbrojtjeje kundërshtare. Në moshën 21-vjeçare, ai ishte një nga futbollistët më të “përkëdhelur” në botë dhe Liverpuli i pagoi Lensit menjëherë 10 milion Stërlina për ta sjellë gjeniun e ri në “Anfield”. Praktikisht, këtu përfundoi karriera e Diouf.

Senegalezi po bënte më shumë tituj të padëshiruar në shtyp, sesa gola në fushë. Në fakt, ai shënoi vetëm tre herë në sezonin e parë në Premier Ligë dhe asnjë në të dytin. Rafa Benitezi e “hoqi qafe” në vitin 2004 dhe Diouf filloi të endej sa në një ekip, në tjetrin. Vështirë të thuhet nëse Boltoni, Sandërlendi dhe tani Blekbërni janë vërtet të kënaqur me të, edhe pse ai ka qenë një figurë kulti. Po Senegali? Prej atij viti (2002), asnjëherë nuk u kualifikuan në Kupën e Botës dhe Diouf u tërhoq nga kombëtarja vitin e kaluar, në moshën 28-vjeçare. Ndoshta nuk është e largët dita kur të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe në nivel klubi.

1. Gaizka Mendieta.
Mendieta ishte thjesht i pandalshëm në fillim të dhjetëvjeçarit. Karrierën e filloi si mbrojtës i majtë te Valencia, por falë Klaudio Ranierit, u bë një mesfushor i jashtëzakonshëm, i kudondodhur. Nën drejtimin e Hektor Raul Kuper, ishte ylli i një skuadre që arriti deri në finalen e Ligës së Kampionëve dy vite rresht. Pasi dhe gjuajtja e tij magjike, fantazia në lojë dhe energjia e pashtershme, bënë që ai të shpallet nga UEFA mesfushori më i mirë i sezonit dhe konsiderohej një kandidat serioz për t’u bërë lojtari më i mirë në botë.

Barcelona dhe Reali i Madridit bënë të pamundurën për ta marrë, por Valencia e shiti te Lacio për shumën e 48 milion eurove në vitin 2001, duke e bërë atë lojtarin e gjashtë më të shtrenjtë të kohës. Pikërisht këtu përfundon edhe historia e Gaizkas. Asnjëherë nuk e gjeti veten në Itali, nuk luan për kombëtaren e Spanjës që prej vitit 2002, pati një transferim të dështuar te Barcelona në sezonin 2002-2003, deri sa kaloi te Midëllsbrou në vitin 2003. Vetëm dy vite pasi mendohej të ishte lojtari më i mirë i dekadës, mesfushori filloi të dëmtohet shumë shpesh, duke mos pasur një periudhë të qetë as në “Riverside”. Madje nuk përbënte fare lajm tërheqja e tij përfundimtare në vitin 2008.