Nuk ka pritur që aq shpejt do të bëhet lider dhe do t’i rrëmbejë zemrat e tifozëve të Sunderland’it. Mendon se dalja në Europë këtë vit do të jetë e vështirë. Të ardhmen e sheh në Premierligë. Beson se Shqipëria gjasat më të mira do t’i ketë në vitin 2016. Lorik Cana flet ekskluzivisht për Grande Juve.
Duhet fuqi e madhe për t’ia rrëmbyer zemrën dikujt.
E për t’i rrëmbyer shumë zemra, duhet një super fuqi.
Këtë e ka Lorik Cana..
Ai është shndërruar në një lider të padiskutueshëm në Sunderland, për një kohë tepër të shkurtër, duke i fascinuar të gjithë.
Shumëkush kishte menduar se reprezentuesi i Shqipërisë, kosovari 26 vjeçar, ka bërë zgjedhje të gabuar kur la Marseille’n dhe iu bashkua Sunderland’it.
Mirëpo, mesfushori shkatërrues u tregoi të gjithëve se kishte vepruar mirë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
Canës iu deshën pakë javë për t’i rrëmbyer zemrat e tifozëve të “maceve të zeza” dhe për t’u shndërruar në lider të ekipit anglez.
Tifozët e klubit nga stadiumi “Stadium of Light” kosovarin e zgjodhën futbollist të ndeshjes thuajse në çdo takim. Këtë nuk e kishte pritur as vetë Loriku. Megjithatë, ai kishte besuar se stili i lojës së tij do t’i përshtatej futbollit anglez.
Ish anëtari i PSG’së paralajmëron se në 3-4 vjetët e ardhshme do të jetë pjesë e Premierligës, ndërsa nuk përjashton mundësinë që t’i bashkohet njërit nga klubet gjigante, Liverpool ose Arsenal.
Cana thotë se ata futbollistë që nuk e japin maksimumin për fanellën kuqezi, më mirë është të rrinë në shtëpi.
Kualifikimi në Evropianin 2012, sipas tij, është vështirë të arrihet. Por, mendon se mundësitë më të mira për kualifikim Shqipëria do t’i ketë në vitin 2016.
Lorik Cana flet ekskluzivisht për Express.
Për shumëkënd transferimi i juaj nga Marseille në Sunderland nuk u konsiderua si një hap përpara në karrierën tuaj, pasi Marseille është klub shumë më i famshëm. Pse vendosët të largoheshit nga Marseille dhe pse e zgjodhët pikërisht Sunderlandin?
Cana: Koha për mua kishte ardhur që të lëviz nga Marseille dhe destinacioni më i mirë ishte Anglia. Vërtet Sunderland nuk ka qenë në zonat evropiane, por është një klub i madh dhe me një traditë të lashtë, dhe kushte nga pikëpamja e stadiumit, strukturave, tifozëve që janë të jashtëzakonshëm.
A keni pritur se do të keni paraqitje të mira në vitin e parë te Sunderland, duke pasur parasysh nevojën tuaj për adaptim në stilin e futbollit anglez ?
Cana: Kam pritur se do të kem paraqitje të mira. Sepse stili i lojës angleze, që është e shpejtë dhe fizik, përshtatet me kualitetet e mia natyrale.
A keni besuar se për një kohë shumë të shkurtër do t’i rrëmbeni zemrat e tifozëve të Sunderlandit dhe të bëheni lider i skuadrës?
Cana: Kaq shpejt jo. Por e dija që do të ndodhte pikërisht nga fakti që unë si lojtar jap gjithçka në fushë dhe kjo atyre u pëlqen.
Jeni zgjedhur lojtari i ndeshjes në pothuajse të gjitha takimet. A mendoni se do të vazhdoni me ritmin e njëjtë edhe në pjesën e dytë të kampionatit?
Cana: Do mundohem. Por, megjithatë kjo nuk është gjëja me e rëndësishmja. E rëndësishme është që skuadra dhe klubi të ecin përpara duke përfunduar këtë vit në top 10-shin.
Sunderland është në pjesën e epërme të tabelës, që është një sukses i madh. A besoni se do të zini një vend i cili do t’ju dërgojë në Evropë?
Cana: Për Evropë është e vështirë, pasi tetë skuadrat e para janë superfuqia dhe ne akoma nuk e kemi skuadrën për t’u fut aty. Por hyrja në top 10 është e kënaqshme.
A do të jetë Sunderland një urë kalimi për transferimin tuaj në ndonjë skuadër të madhe angleze?
Cana: Ajo varet nga unë dhe rezultatet e klubit gjithsesi. Vërtet duke u përballur me këto ekipe je në vendin e duhur.
Pas paraqitjeve tuaja të mira kanë qarkulluar zëra se Arsenal dhe Liverpool kanë shprehur interesim që t’ju transferojnë. A ka gjasa që në verë t’i bashkoheni njërit nga këto dy klube?
Cana: Këto kontakte kanë ekzistuar dhe më parë, por nuk kemi arrit ndonjë marrëveshje. Jam optimist për të ardhmen.
Ku e shihni veten në një të ardhme të afërt?
Cana: Për këto 3 ose 4 vite të ardhmen time e shoh në Angli. Por, në futboll nuk i dihet kurrë.
Sa i përket Kombëtares shqiptare, ka pasur kritika se futbollistët nuk po angazhohen ashtu si në klubet e tyre. Cili është mendimi juaj?
Cana: Pa koment. Nuk ia vlen m’i komentuar këto gjera. Besoj që një futbollist, që nuk jep gjithçka për kombin, më mirë të rrijë në shtëpi.
A është Euro 2012 vetëm një ëndërr për shqiptarët?
Cana: Do të jetë e vështirë shumë. Por, në 2016 mundësitë kanë për të qenë më të mëdha sepse kualitet ka për të qenë më mirë, më shumë përvojë dhe pjekuri.
Ju jeni të njohur për humanitetin tuaj. Së fundi keni dhuruar 100 mijë euro për bamirësi. Derisa këto ndihma u dedikohen të varfërve, a keni menduar ta fokusoni bamirësinë tuaj edhe në sferën e futbollit – pra, ta jepni ndihmën tuaj në transferimin e futbollistëve të talentuar shqiptarë në Evropë?
Cana: Këto gjera i bëj sepse ky është populli im dhe me gjithë shpirt dhe dëshirë mundohem ta ndihmoj dhe ta përfaqësoj me sa më shumë dinjitet në skenën ndërkombëtare. Për futbollistët e rinj aty nuk kam kohë për t’u marr dhe nuk më takon mua. Mua më takon që të shohin që në Kosovë dhe Shqipëri ka talente ndoshta edhe më të mirë se unë dhe që duhet t’u jepet shansi.
Realisht, ju jeni Ambasador i sportit tonë në Evropë. Cila mund të jetë ndihma juaj në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar?
Cana: Mundohem ta përfaqësoj në arenën time, që është futbolli, dhe që është gjëja më e ndjekur në mbarë botën. Vërtet që Kosovës i duhet mbështetje ndërkombëtare dhe kushte të mëdha për të gjithë sportistët, pa marrë parasysh se me çfarë sporti merren, sepse talentet i kemi. Pa ndihmë ekonomike dhe angazhim ndërkombëtar është vështirë të përparosh.