05 janar 2010

Përsëritje e suksesit

Ylli i Barcelonës, Pedro beson se gjiganti katalan mund të përsërisë suksesin historik nga sezoni i kaluar, por pranoi se nuk do të jetë detyrë e lehtë. Barcelona hyri në histori të futbollit si ekipi i parë që fitoi gjashtë tituj brenda një sezoni (La Liga, Ligën e Kampionëve, Copa del Rey, Superkupën e Evropës, Superkupën e Spanjës dhe Kampionatin Botëror të Klubeve)..
Edhe Pedro krijoi histori pasi ishte realizues në secilën prej këtyre garave. “Ne mund të përsërisim suksesin e sezonit të kaluar, por do të jetë vështirë. Jemi ende në të gjitha garat, por sigurisht se do të jetë vështirë. Megjithatë, do të mundohemi të përsërisim suksesin e arritur”, deklaroi ai për të përditshmen sportive spanjolle Sport.
Mirëpo, Pedro është më pak optimist se do të arrijë të përsërisë golat që realizoi sezonin e kaluar – shumicën prej tyre si rezervist. “Jam në seri të mirë të golave falë bashkëlojtarëve të mi. Por, do të jetë vështirë të mbaj këtë ritëm dhe do të mundohem t’i ndihmoj sa më tepër ekipit”, përfundoi ai.