05 janar 2010

Lajme per Futbollin dhe Futbollistet Shqiptare

“Xhorxh Bushi” kosovar te Dinamo e Zagrebit!

Xhorxh Bushi kosovar te Dinamo e Zagrebit”. Kështu e perifrazonte dje shtypi kroat afrimin e talentit më të madh të futbollit në Kosovë, Gjergj Bushaj, vetëm 18-vjeç, nga klubi i njohur kroat. Më tej, pothuajse të gjitha mediat kroate shkruanin: “Mirë se vjen Xhorxh Bushi kosovar në stadiumin “Maksimir”. E kemi
fjalën për talentin 18-vjeçar kosovar, Gjergj Bushaj, adashin e ishpresidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush. Ky lojtar vjen nga “Raiffeisen Superliga”, nga skuadra e Vllaznimit të Gjakovës, me rekomandimin e Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit kosovar, aktualisht president i federatës së futbollit të shtetit më të ri në botë. Sipas Vokrrit, Gjergj Bushaj është talenti më i madh që ka nxjerrë Kosova në 20 vitet e fundit. Ai ka konsumuar një provë edhe tek Hamurgu, klubi i Bundesligës në Gjermani, i cili tashmë do të ketë edhe konkurrencën e Dinamos së Zagrebit, për ta pronësuar talentin kosovar.”

Viti i ri futbollistik 2010, nga pritshmëritë meriton “notën 10”!

Janë ditët e para të vitit 2010, por nuk ka nevojë për shumë kohë që të themi se 12 muajt e tij përmbledhin zhvillime të rëndësishme, me të vërtetë, në futbollin tonë, por edhe atë europian e botëror. Mbi gjithçka, natyrshëm qëndron Botërori i Futbollit, që do të zhvillohet i shtrirë në dy muaj, qershor-korrik, në Afrikën e Jugut. Një aktivitet madhor, që do të eklipsojë gjithçka, do të mbërthejë miliarda njerëz para ekranit të vogël, ndërkohë që miliona të tjerë do të kenë fatin të jenë vizitorë “live” të ndeshjeve, nga stadiumet përkatëse. Por, para se të shkojmë atje, ne, shqiptarët, do të ritakohemi me futbollin, sportin më të dashur e popullor në botë, më 23 janar. E kemi fjalën për futbollin tonë, sepse tifozët e thekur të kësaj loje e kanë marrë ngushëllimin para TV-ve, me futbollin jashtë vendit, kryesisht atë anglez, por edhe spanjoll, që nuk njeh ndalesë dhe s’ka festë as për Vitin e Ri.
Gjithashtu, këtë javën e parë të vitit 2010 nuk kanë munguar edhe skitë nordike dhe alpine, apo garat auto “Dakar Rally”. Do të kemi rastin të kemi një sy edhe nga David Beckham, që do të kthehet si kundërshtar në “Old Trafford”, për herë të parë si milanist, ashtu si Michael Schumacher, sërish në pistën e “Formula 1”. Por adrenalina e sportdashësve shqiptarë do të rritet pikërisht me rifillimin e kampionatit kombëtar, që koincidon me një derbi mjaft domethënës, Tirana-Dinamo. Si vazhdim i logjikës së ftohtë të gjërave, sipas parimit shkak-pasojë, që starton në vitin që lamë pas, dy skuadrat e kryeqytetit kanë shumë gjëra për të konfirmuar. Ashtu si dhe të tjerat e superligës, në fakt, me Flamurtarin e vendit të fundit, por edhe me Vllazninë që brenda 6 muajsh ka ndërruar trajnerë. Dhe vitin 2010 do ta nisë me një të ri, “fringo”, Edi Martinin, të cilit do t’i duhet shumë punë të dalë mbi rrënojat e një gjysmedicioni tepër deziluzionues. 23 janari, me sfidën e “Qemal Stafës”, mund t’i japë ngjyra të reja kampionatit të superligës. Dhe këtë e kanë në dorë kampionët në fuqi, bardheblutë, të cilët, me një fitore ndaj kryesueses ekskluzive të garës, Dinamos, mund t’ua ngushtojnë lakun bluve. I cili, në fakt, nuk ka njohur “nyje” deri në fundvitin e shkuar. Një humbje shokuese në Peqin, 4-0, e pasuar me një barazim të dhuruar nga gjyqtari, brenda në shtëpinë e saj, me Laçin, kanë ngritur jo pak pikëpyetje mbi Dinamon. Pikëpyetje që presin konfirmim. Diçka jo e lehtë kjo për skuadrën e Muçës, që kalendari i ka vënë përpara një “pasqyrë të mysët”, Tiranën e kurbës në ngjitje.
Akti i parë, që meriton “notën 10”, në vitin e ri futbollistik shqiptar, që sapo kemi nisur. Për të pritur muajin më të shkurtër të vitit, por me pritshmëritë më të gjata, shkurtin, pikërisht datën 7, kur në Varshavë, kuqezinjtë tanë do të mësojnë kundërshtarët e tyre në fushatën kulifikuese për Europianin 2012. Të gjendur në vazon e 5-të, sinoptika duket e zymtë, sa u takon shanseve reale për t’ia bërë “sefte” edhe ne, më së fundi, në finalet e një eventi të tillë kaq madhor. Megjithatë, ngushëllimi ynë, si gjithmonë, mbetet rënia në grup e një skuadre të madhe, për ta shijuar ashtu të uritur, kur të vizitojë kuqezinjtë në “Qemal Stafa”, por edhe për pak para më shumë nga e drejta televizive. Për ta mbushur atë stadium, ndoshta për herë të vetme në një vit. Sepse kampionati kombëtar nuk na e mundëson një gjë të tillë. Fatkeqësisht! Pas mësimit të shortit, gara europiane e kombëtares sonë do të nisë. Duke elektrizuar prej së pari mjedisin kuqezi, nga 3 dhe 4 shtatori deri më 12 tetor. Sigurisht, të vitit 2010. Për t’ia lënë stafetën vitit pasardhës. Shkurti, gjithashtu, rezervon “qershinë mbi tortë”, ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Pikërisht më datat 16 dhe 17 të këtij muaji. Mbi të gjitha, kemi filluar numërimin mbrapsht për garat e para të çerekfinaleve të “Champions”-it, për të parë nëse Karlo Ançeloti është më i mirë se Hoze Mourinjo, në qoftë se Milani është kthyer vërtet, se sa vlen Reali yjor i Perezit, a do ta ruajë kurorën Barça e Guardiolës etj. Të gjithë këta emra gjigantë, por edhe të tjerët, do të na mbajnë në pezm deri në finalen e “Santiago Bernabeut”, më 22 maj, ku kontinenti ynë do të njohë kampionen e saj. Aktivitet, që do të jetë si një “paradhomë” e Kampionatit Botëror të Afrikës së Jugut, i cili kompleton një vit futbollistik, atë 2010, që meriton në pritshmëri “notën 10”. Intervali kohor 11 qershor-11 korrik do të jetë si një zonë subekuatoriale, ku “temperatura” e topit të rrumbullakët do të njohë pikun më të lartë të mundshëm. Me një fjalë, s’ka pushim gjysma e parë e verës së këtij viti, pasi ekrani i vogël do të hipnotizojë e lidhë para tij çdo njeri. Nga tifozi më i thjeshtë e deri te deputeti, përfaqësues i popullit, që natyrshëm do të kërkojë modifikim të kalendarit të punimeve të Parlamentit. Pjesa në vazhdim e këtij viti, sikurse e thamë edhe më sipër, do të dominohet nga ngjyrat kuqezi. Sepse kombëtarja jonë do të nisë eliminatoret në grupe për “Euro 2012”. Ndërsa skuadrat shqiptare do të provojnë fatin në Kupat e Europës, sa për të nxehur motorët e kampionatit kombëtar, i cili zakonisht starton në fund të muajit gusht. Të gjitha këto zhvillime, brenda e jashtë vendit, i takojnë fushës së blertë, aty ku topi rrotullohet, ku loja magjike, më popullorja në botë, do të ketë fjalën e parë.
Ndërkohë, 2010-ta mbart në vetvete edhe zhvillime zgjedhore në futboll. Gjashtëmujori i parë i këtij viti duhet të zgjedhë drejtuesit e rinj të top-këmbës shqiptare. Konkretisht, perms Asamblesë së Zakonshme Zgjedhore, duhet konkluduar në presidentin e FSHF-së dhe komitetin ekzekutiv të saj. Një “betejë” që ka nisur t’i japë shenjat e para. Dikush në emër të transparencës dhe moralit individual, por edhe profesional, e ka ftuar sfidantin virtual në “arenë”. Qysh në këtë muaj. Pikërisht në gjykatë, ku secila palë mendon se do të jetë “mejdani” i duhur në funksion të qëllimeve zgjedhore. Ndërkohë që të tjerë do të vigjëlojnë, për të shpresuar se kur zihen dy vetë, fiton një i tretë. I cili, kushdo qoftë, si produkt i vitit 2010, urojmë të meritojë edhe ai “notën 10”. Në fund, duke mos iu druajtur shumë frikës për të rënë në retorikë, urojmë që 12 muajt që sapo kemi nisur të jenë të paharrueshëm për “Sportin Shqiptar”, gazetën tonë, por edhe tërë median sportive shqiptare në përgjithësi, por jo pa gjurmë edhe për këtë fushë të jetës në Shqipëri. Kjo edhe falë jush, lexues të nderuar tanët, që na kemi ndjekur si deri më tani, me besnikëri dhe gjithmonë e më shumë në numër, duke përmbushur pritshmëritë tona optimiste. Çfarë duhet të shtojmë në këtë të ftohtë mesdimri, në këtë bisht të atmosferës festive të Vitit të Ri, ende mes urimesh e pakosh? Një faleminderit lexuesve tanë, me të cilët, edhe falë teknologjisë, versionit tonë online, kemi ndarë 365 ditët e shkuara, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në vijim. Duke qenë me juve gjithmonë dhe gjithkund. Të obliguar për të ofruar për ju gjithçka ndodh në sportin shqiptar, por jo vetëm, edhe atë përtej kufijve. Përmes diskursit tonë publik, po ju kumtojmë përmes një retorike gazetareske se “Zoti ynë është lexuesi”. Ndaj edhe ai, bashkë me urimin “Gëzuar Vitin e Ri 2010”, meriton si gjithnjë, “notën 10”!

Kandidatët kuqezinj nisin zborin e Turqisë

Viti 2010 ka nisur me mjaft intensitet për kombëtaren e Shqipërisë, ndonëse deri në muajin shtator do të ketë ndeshje eliminatore. Gjysma e parë e 2010-s do të shfrytëzohet nga stafi drejtues i kuqezinjve për të gjetur lojtarë për kombëtaren, që pavarësisht se përbëhet nga një grup i konsoliduar, por jopremtues për një sezon shumë të mirë, që nis në fillim të shtatorit me eliminatoret e Euro 2012-s. Të dielën, pra më 3 janar, kuqezinjtë candidate për të qenë pjesë e kombëtares A janë nisur drejt Turqisë, pikërisht pranë krahinës së famshme të Antalias, për të zhvilluar një “zbor” 7-ditor. Lista e shpallur dy javë më parë është reduktuar nga 20në 19 futbollistë, pjesë më e madhe e kampionatit shqiptar, për shkak të dëmtimit të Franc Veliut.

Nesër, miqësore me Adanasporin

Dje, trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, ka planifikuar dy seanca stërvitore, që ka pasur ritëm të ulët, pasi të gjithë futbollistët vinin pas festave të fundvitit. Para se kuqezinjtë të zbrisnin në fushën e blertë, Kuzhe bashkë me stafin teknik kanë zhvilluar një analizë të thellë, për të shpjeguar qëllimin e këtij grumbullimi dhe atë që kërkohet prej tyre në këtë periudhë të shkurtër. Të gjithë lojtarët morën pjesë në stërvitjen e parë në orën 11:00, që përgjithësisht kishte ritëm më të ulët. Në këtë seancë stervitore u bënë vrapime, ushtrime teknike dhe goditje në portë. Seanca e dytë u zhvillua në orën 17:00, ku sërish ngarkesa ishte e lehtë. Sot, kroati Kuzhe do të thellohet në ushtrimet taktike, për të ndërtuar formacionin më të mirë të mundshëm, që do të provojë forcat në dy ndeshje miqësore gjatë këtij qëndrimi 7-ditor në Turqi. Nesër është vendosur të luhet miqësorja me Adanasporin, takim që do të nisë në orën 15:00. Kundërshtari i radhës i kandidatëve kuqezinj militon në kategorinë e dytë të kampionatit turk. Kuzhe ka preferuar të luajë ndaj një kundërshtari jo shumë të fortë, pasi lojtarët tanë janë në fillin të përgatitjeve.
Është planifikuar gjithashtu një miqësore e dytë më 9 janar, por nuk është përcaktuar emri i kundërshtarit. Shkalla e vështirësisë në miqësoren e dytë do të jetë më e lartë, pasi vetë seleksioni i kampionatit shqiptar do të jetë në kulmin e përgtitjeve.

Turqia, plot me menaxherë edhe për kuqezinjtë

Në këtë periudhë të ftohtë të dimrit, shumë skuadra europiane, sidomos ato të Lindjes, ku temperaturat janë shumë të ulëta, e zhvillojnë fazën përgatitore në Turqi. Mbizotërojnë skuadrat ukrainase dhe ruse, por ka edhe ekipe nga Europa Qendrore dhe Ballkani, që preferojnë Kemerin ose Belekun në Antalia për t’u përgatitur për pjesën e dytë të sezonit. Kjo dyndje e shumë skuadrave europiane shfrytëzohet nga menaxherë të ndryshëm nga të gjitha vendet, që vëzhgojnë futbollistë të rinj të talentuar. Eksperiencat kanë treguar se menaxherë të ndryshëm bashkohen dhe formojnë një skuadër futbolli që ndeshjen me ekipet që po zhvillojnë fazën.

Lojtarët e grumbulluar në Turqi

1.Shpëtim Moçka Flamurtari
2.Sulejman Hoxha Apolonia
3.Andi Lila Tirana
4.Maringlen Shoshi Apolonia
5.Arjan Pisha Dinamo
6.Olsi Gocaj Kastrioti
7.Ditmar Bicaj Tirana
8.Klodian Samina Gramozi
9.Gentian Muça Dinamo
10.Emiliano Veliaj Laçi
11.Sabien Lilaj Tirana
12.Jetmir Sefa Tirana
13.Emiliano Vila Lok. Zagreb
14.Gjergji Muzaka Tirana
15.Elis Bakaj Dinamo
16.Vasil Shkurtaj Olimpiakos
17.Odise Roshi Flamurtari
18.Sokol Cikalleshi Besa
19.Bekim Bala Vllaznia

Plas pazari turk: 200 mijë euro për Jetmir Sefën!

Merkatoja e dimrit, si kudo, në këtë “intermexo” të kampionateve kombëtare, me rastin e festave të fundvitit, i ka vënë “motorët” në punë edhe në futbollin shqiptar. Skuadra, sipas parapëlqimeve, më pas investohen për lojtarë të ndryshëm, në bazë të rregullave të tregut, ku kërkesa dhe oferta konkludojnë gjithçka. Një nga “vitrinat” më produktive në këtë aspekt është edhe përgatitorja e dimrit, të cilën shumë skuadra e kryejnë në Turqi. Gjë të cilën e bëjnë edhe skuadrat shqiptare, por edhe ndonjë kombëtare B, si në rastin aktual, kuqezinjtë e kampionatit shqiptar, me në krye trajnerin Josip Kuzhe. Pikëtakime të tilla duket se kanë shërbyer për të bërë “qark të shkurtër” në këtë fillimviti mes mesfushorit të talentuar të Tiranës, Jetmir Sefa, dhe skuadrës së vendit të parë në kampionatin azerbajxhanas, FC Inter Baku. Burime pranë lojtarit bardheblu bëjnë të ditur se skuadra e themeluar në vitin 1997, që udhëheq pas 17 javësh kampionatin azerbajxhanas, është gati të paguajë 200 mijë euro në këmbim të lënies së lirë të Sefës nga Tirana. FC Inter Baku prej dy ditësh ndodhet në Belek të Turqisë, ku ka nisur fazën përgatitore të dimrit, që zgjat deri më 31 janar në këtë vend, dhe duket se do ta shfrytëzojë këtë rast për të bërë të vetin jo vetëm Sefën, por edhe ndonjë lojtar tjetër të spikatur të kuqezinjve tanë, që gjenden në Turqi për një zbor 10-ditor, nën udhëheqjen e Kuzhes. Edhe Jetmir Sefa është pjesë e listës së të ashtuquajturës kombëtarja B, me elementë të spikatur nga kampionati shqiptar, e cila është stacionuar prej dy ditësh në Kemer të Turqisë, shumë afër Belekut, ku po kryen përgatitoren skuadra e interesuar për të. Natyrisht, drejt këtij vendi kanë mësyer edhe menaxherë të shumtë futbolli, një ndër të cilët i ka bërë ofertën edhe Sefës së Tiranës në emër të klubit azerbajxhanas, e cila pritet të “piqet” në ditët në vazhdim. Duke bërë pjesë të bisedimeve jo vetëm klubin FC Inter Baku dhe lojtarin bardheblu, por edhe klubin që zotëron kartonin e Jetmir Sefës, Tiranën.

Besa do Sinanin, në këmbim të kosovarit Leci

Besa ka ndërmend t’i lëvizë të gjithë gurët, për t’i përforcuar radhët e saj në merkaton e dimrit. Disa nga lojtarët më të spikatur të kampionatit shqiptar lakohen nga drejtuesit verdhezinj, mes të cilëve edhe goleadori shkodran, Vioresin Sinani. Gjithashtu, më parë është përmendur Haxhibulic i Apolonisë, Shkëmbi i Skënderbeut dhe të tjerë. Sidoqoftë, në rend të ditës tashmë duket se është sulmuesi i Vllaznisë, Sinani, në këtë edicion në krizë të plotë deri tani, ashtu si skuadra kuqeblu. Presidenti Bizhdili kërkon të bëjë surprizën më të madhe në këtë fillimviti. Edhe pse është ende në rangun e thashethemeve, flitet që sulmuesi Vioresin Sinani mund të bëhet pjesë e Besës në këtë merkato. Nuk dihet me saktësi në është biseduar me të, apo ka pasur kontakte, por burime nga Shkodra konfirmojnë se ndoshta goleadori shkodran mund të vishet verdhezi. Bizhdili dhe trajneri Duro kanë ofruar Lecin, në këmbim të Sinanit, me ndonjë “kusur” tjetër financiar.