02 nëntor 2009
Prandeli: Dua një Fiorentinë “të zemëruar”
Trajneri i Fiorentinës, Çezare Prandeli, do të hedhë në fushën e lojës Fiorentinën më të mirë për të mundur Katanian, ditën e sotme, një skuadër që, ndoshta pikërisht për krizën që po kalon, nuk duhet nënvlerësuar. “Nga këndvështrimi i rezultateve jemi të zhgënjyer, por jemi edhe shumë të karikuar për t’u rikthyer menjëherë tek fitorja, - ka thënë trajneri i toskanëve. - Paraqitjet kanë qenë të mira, duke marrë në konsideratë që luajmë çdo tre ditë dhe kam parë një Fiorentinë në formë, që ka zhvilluar një ndeshje të bukur. Në disa momente janë episodet, që mund të të ndihmojnë ose të të ndëshkojnë. Kundër Katanias dua të shikoj në fushë një Fiorentinë të zemëruar dhe agresive, duam të rimarrim vendin që meritojmë në renditje, po punojmë shumë mirë dhe duhet t’i kthejmë episodet në favorin tonë. Jam i bindur se do të zhvillojmë një kampionat si protagonistë, siç ka ndodhur edhe në vitet e kaluara”, ka përfunduar Prandeli.