02 nëntor 2009

Kasano, talenti i vogël me të mëdhatë

Në dy vitet e kaluar tek Sampdoria ka shënuar vetëm 2 gola ndaj ekipeve të mëdha
E shkatërruar nga pesë golat dhe nga futbolli fizik i Juventusit, Sampdoria, nga skuadra surprizë e fillimit të sezonit, ka rënë në nivelin e ekipit, që është futur gabimisht midis të mëdhenjve. Edhe një humbje tjetër dhe do të fillojnë të dëgjohen frazat klasike si “e kisha thënë unë”. Kështu edhe profeti i këtij ekipi, Antonio Kasano, do të rikthehet si Kasano i zakonshëm, i fortë me skuadrat e mesme, autor në dy vite dhe dy muajt e kaluar tek Sampi i 23 golave në kampionat, prej të cilëve një të shënuar kundër Interit, një Milanit dhe të tjerët kundër skuadrave gjysëm të vogla të Serisë A. Një gjë e mirë për Marçelo Lipin, i cili mund të shkojë në konferencat e ardhshme për shtyp para miqësoreve që Italia do të zhvillojë kundër Holandës dhe Suedisë më 14 dhe 18 nëntor pa dëgjuar pyetjet e zakonshme në lidhje me mungesën e Kasanos në kombëtare. Por problemi është se duhen luajtur edhe dy ndeshje të tjera para takimeve miqësore të mesit të nëntorit dhe nuk është e thënë që fantazisti barez të mos kthehet lojtari, që i ka magjepsur të gjithë para përballjes me Juventusin. Do të ketë mundësinë për ta bërë këtë, duke filluar nga ndeshja e ditës së sotme Sampdoria-Bari për ta mbyllur me Kaljari-Sampdoria, dy raste perfekte që talenti nga Pulia të rikthehet të bëjë diferencën dhe të vërë në vështirësi Lipin për botërorin e ardhshëm. Por ekziston edhe mundësia që në përballjen e sotme, që do të jetë e para për të kundër skuadrës, që e ka bërë të njohur në Serinë A, ai të kushtëzohet psikologjikisht edhe pse midis Kasanos barez dhe atij gjenovez kanë kaluar më shumë se tetë vite, një fakt ky që duhet t’i sigurojë Del Nerit të ketë në dispozicion Kasanon që ai njeh, jo atë që ka zhgënjyer në Torino.