Arrihet marrëveshja me Fredrikshtadin për 1 milionë e gjysmë euro. Do të vijë në janar
U tha, u bë. Interesimi i Milanit për sulmuesin 20-vjeçar të Ganës, Domenik Adiah, tashmë është konkretizuar. Duket se kuqezinjtë e kanë mbyllur çështjen me Fredrikshtadin, klubi norvegjez që zotëron kartonin e lojtarit të talentuar. Adiah, që në “Botërorin U-20″ zhvilluar së fundmi në Egjipt, fitoi “Këpucën e artë” të veprimtarisë, falë tetë golave që shënoi në shtatë ndeshje të zhvilluara, u kushtoi kuqezinjve 1.3 milionë euro dhe në janar do të jetë i gatshëm për Leonardon.
Tashmë misioni u përmbush, sepse Milani kishte një muaj që e vëzhgonte 20-vjeçarin ganez. Pikërisht që kur mini-bomberi afrikan kishte tërhequr vëmendjen e Rubin Kazanit dhe të CSKA-së së Moskës, por para së gjithash duke shënuar me vazhdimësi në “Botërorin U-20″ të Kajros. Gjithçka është bërë në kuadër të linjës që po ndjek klubi kuqezi mbi rinimin e skuadrës dhe më në fund vendosi ta marrë. Adiah do të vijë në janar, duke zënë vendin e fundit të lirë si lojtar jokomunitar, ndërsa në qershor mund të kthehet edhe Paloski pas përvojës 2-vjeçare me Parmën.
Kjo do të thotë që vitin e ardhshëm, Milani mund të ketë një sulm të formuar thuajse nga “fëmijë”. Por një sulm që mund të zgjasë 10 vjet ama. Jo keq si ide. Dhe gjërat janë bërë me radhë. Në fillim me Adiahun, që është një sulmues i mirë, edhe pse jo saktësisht një qendërsulmues. “Bomberi” ganez është më shumë një sulmues i dytë. Një, që mund të kujdeset për rolin e sulmuesit anësor, i cili aktualisht, në skemën 4-3-3 të Leonardos është vendi i Ronaldinjos.
Ganezi është i shpejtë, i vogël fizikisht, por shumë i fuqishëm, ka një driblim të mirë dhe një goditje jo të keqe. Është një farë “Patoje” pra, por më i fuqishëm se braziliani dhe më pak teknik. Me Adiahun, i cili pritet të zyrtarizohet sot, do të njoftohet, siç është deklaruar edhe nga Galiani për David Bekhamin. Me Los Anxheles Galaksi marrëveshja është arritur prej disa ditësh dhe nuk mungojnë veçse detajet e fundit. Çështje orësh maksimumi, ose ditësh. Beksit nuk i mungon gjë tjetër veç se të kthehet në Milanelo dhe të ripërqafojë shokët e tij të vjetër.