Luka Toni, "sinjale" Milanit, transferimi ndoshta në janar
Luka Toni mund të jetë përforcimi i ri i Milanit. Sipas asaj që shkruan "Il Corriere dello Sport", momentalisht kjo mbetet vetëm një hipotezë, por nuk përjashtohen mundësitë që transferimi të realizohet. Sulmuesi italian po kalon periudhën më të vështirë që prej transferimit te Bajerni i Mynihut. Ai nuk po gjen hapësira në skuadrën e Van Gal, që pas afrimit të Mario Gomez gjatë merkatos së verës. Në një intervistë të dhënë për revistën gjermane "Kicker", 32-vjeçari deklaroi se është i gatshëm të largohet nga gjigantët bavarezë: "Nëse drejtuesit e Bajernit nuk janë të kënaqur me mua, do të shqyrtoj mundësinë e largimit nga skuadra. Absolutisht nuk dua që të shndërrohem në ‘barrë‘ për klubin. Për më tepër që nga ky sezon do të varen edhe shanset e mia për të qenë pjesë e Kombëtares italiane në Kupën e Botës 2010, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut". Toni e ka të qartë se nëse qëndron në Mynih do të humbasë edhe aktivitetin e fundit madhor në karrierë. Milani është vendi i duhur që ai të bindë trajnerin Marçelo Lipi se është ende i vlefshëm për "axurrët". Pavarësisht moshës së madhe, sulmuesi i plotëson kriteret që kërkon Leonardo për të përforcuar repartin ofensiv të kuqezinjve, pasi Klas-Jan Huntelar nuk ka bindur, ndërsa Borrielo vazhdon të jetë i dëmtuar.