22 shtator 2009

Dinjo i sëmurë? Jo, në “San Siro” si repist!

Braziliani e pa ndeshjen ndaj Bolonjës në tribunë, por nesër ndaj Udinezes titullar duhet të jetë Sedorfi
Sigurisht që nuk është një moment i mirë për Ronaldinjon. Pas debutimit të mirë në kampionat në Sienë, që i joshi të gjithë, ish-fituesi i “Topit të Artë” dështoi papritur në derbi dhe kundër Livornos, duke përfunduar jashtë skuadrës së Leonardos. Në Marsejë, në ndeshjen e parë sezonale të Championsit, 29-vjeçari brazilian përfundoi në stol, ndërsa të dielën ndaj Bolonjës, ndonëse mendohej që do të qëndronte në shtëpi i sëmurë me temperaturë, është vërejtur në tribunën e vogël pranë fushës së lojës së “San Siros” me syze dielli, veshje prej reperi dhe i rrethuar nga shumë miq si Maldini, Abiati e bashkëkombasi Tiago Silva.
Një prani që i surprizoi ata që e diktuan, por Leonardo u përpoq menjëherë të zbusë çështjen: “Ronaldinjo të premten kishte temperaturë, njëlloj si Zambrota, që në fund nuk luajti, - tha trajneri kuqezi. - Qëndroi pushim dy ditë, ndaj zgjodhëm ta lëmë të qetë. Sot (dje) është stërvitur dhe do të jetë i gatshëm për në Udine. Përveç kësaj s’ka gjë tjetër”. Nuk është aspak e sigurt që ish-lojtari i Barcelonës mund të jetë titullar në ndeshjen ndaj friulanëve. Rreth tij duket se s’ka më besim, siç
vërehet nga deklaratat e Galianit (”Milani më mirë pa Ronaldinjon? Nuk jap përgjigje teknike”), e Odos (”Është mirë, por nuk është në një periudhë të lumtur, sepse paraqitjet e tij s’janë në lartësinë e duhur”). Edhe në sfidën e nesërme pra, duhet të rikonfirmohet numri i vërtetë 10-të, Sedorfi pas shpinës së dy sulmuesve. Në mbrojtje duhet të rikthehet Zambrota, ndërsa Tiago Silva, i cili ka një bllokim muskular, mund të jetë i detyruar të pushojë sërish. Në vend të tij ka mundësi të vijnë konfirmimi i Kalaxes në krah të Nestës.