22 shtator 2009

Bogdani në “qiellin e shtatë”: Goli më riktheu buzëqeshjen!

Ka shënuar golin e parë për këtë sezon me Kievon dhe ka festuar, por jo në mënyrë të cmendur. Ka ngritur duart lart nga qielli, duke ia dedikuar golin mikut të tij, ish-sulmuesit shqiptar të Ravenës, Brian Filipi, që humbi jetën nga një aksident. Bogdani mori gjithashtu pjesë dje pasdite, në Cervia (Ravenna), në funeralin e njëzetvjecarit, ish-lojtar i Ravenës, i cili vdiq natën e së premtes në një aksident automobislistik. Bogdani thotë se nuk mund të mungonte në shoqërimin që i bënë të afërmit, miqtë dhe shokët Brianit në udhëtimin e tij të fundit në këtë botë. Erjoni sqaron edhe mënyrën e festimit të golit ndaj Genoas, me duart dhe sytë drejt qiellit. “Ishte një lutje për prehje në paqe të shpirtit të mikut tim, Brianit, që humbi jetën në një aksident, në moshë fare të re, kur sapo kishte hedhur hapat e parë në karrierën si futbollist me Ravenën dhe ekipin Shpresa të Shqipërisë. Festova ashtu, si për të thënë: “Brian, ky gol është për ju!”
Më tej, sulmuesi shtatlartë i Kievos, për mediat italiane, ka folur edhe rreth formës së tij sportive. Pritja e gjatë ka përfunduar. Erjon Bogdani e rigjeti golin edhe në Seria A. Pas paraqitjeve të mira me kombëtarën e vendit të tij, ku edhe ka shënuar, sulmuesi 32-vjeçar e kërkonte prej kohësh rrjetën edhe me Kievon. Ai nuk shënonte prej gjashtë muajsh. Hera e fundit kur kishte festuar shënimin e një goli datonte më 15 mars të këtij viti, në fitoren 3:0 ndaj Lacios, në fushën e kësaj të fundit. Gjithsesi, thotë se nuk e kishte humbur asnjëherë shpresën. Goli erdhi pas një fillimsezoni, ku Bogdani është shfaqur gjithmonë si protagonist me Kievon. Madje, në fitoren me Xhenoan fitoi edhe penalltinë, që zhbllokoi rezultatin e fillimit të lojës. Bogdani, vec kësaj, në këtë ndeshje shënoi edhe gol, por regjistroi njëherazi paraqitjen më të mirë gjatë dy vjetëve e gjysmë te klubi veronez, ku u transferua në janar të vitit 2007 për 3 milionë euro. “A jam i lumtur? Natyrisht që ndihem i lumtur. Gjithsesi, më duhet të them se futbolli ndonjëherë është i çuditshëm, – pohon Bogdani. - Kur shënon një gol bëhesh menjëherë protagonist, ndërsa në rastet kur nuk e gjen rrugën e rrjetës, sakrificat nuk të vlerësohen, edhe pse në fushën e lojës mund të japësh maksimumin. Pavarësisht kësaj, falënderoj trajnerin e Kievos, Di Karlo, dhe stafin teknik, që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Eshtë merita e tyre, që po kaloj një formë të mirë fizike”.Vetëm pak kohë më parë, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare shihej si një element i panevojshëm për Kievon, madje donin ta shisnin. U fol për destinacione të ndryshme në Seria,A, apo edhe në kampionatin anglez, por Bogdani vendosi të mos largohej nga Verona. “Kisha besim në vetvete, se këtu, te Kievo, do të rikthehesha sërish në qendër të vëmendjes dhe do të luaja si titullar. Nuk kisha pse të largohesha, ndaj jam sot këtu. Ndihem i gëzuar, sepse po e ndihmoj skuadrën në qëllimet e saj. Nuk kam çfarë të them ndonjë gjë pikante rreth kësaj teme, vetëm se mundohem ta bëj sa më mirë punën time. Pastaj, kur shënon, golat të ndihmojnë, të rikthejnë buzëqeshjen. Por, nuk duhet të harrojmë se pas meje luan një skuadër e tërë, që më ndihmon”.
“Agjërimi” i Bogdanit tashmë përfundoi dhe është i përqendruar në sfidën e radhës, me Sienën, klub në të cilin e kujtojnë për paraqitjet e mira në fushë. “Kam kujtime të bukura nga kjo skuadër. Gjithsesi, dua të mendoj vetëm për të tashmen. E tashmja ime është Kievo. Kunder Sienës do të jetë një sfidë mjaft delikate, duke qenë se është një përballje direkte, mes dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Megjithatë, ne kemi një skuadër të mirë, kështu që nuk u trembemi kundërshtarëve. Fitorja me Xhenoan na ka dhënë më tepër siguri në forcat tona.