Përfaqësuesja e Brazilit e ka turpëruar Argjentinën para tifozëve të vet në ndeshjen e vlefshme kualifikuese për Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010. Ishte kjo humbja e parë e Albicelestëve në shtëpi pas 16 vitesh në kualifikimet për një kampionat botëror.Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në stadiumin Gigante de Arroyito të qytetit të lindjes së Lionel Messi- Rosario, ndërmjet Argjentinës dhe Brazilit, ka përfunduar me fitoren e mysafirëve me rezultat prej 3-1.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 24, kur një gjuajtje të lirë të Elanos e shfrytëzoi më së miri Luisao për të kaluar mysafirët në epërsi.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, dyfishoi epërsinë pas shtatë minutash (31’) për t’i shokuar tifozët e pranishëm në Gigante de Arroyito.
Në pjesën e dytë (65’), mesfushori i Napolit, Jesus Datolo, befasoi portierin Julio Cesar nga distanca duke e ngushtuar epërsinë e mysafirëve, për t’i dhënë shpresë ekipit të Diego Maradonas.
Mirëpo, vetëm tre minuta më pas (68’), Luis Fabiano i shoi shpresat e Argjentinës për barazim, me golin e dytë personal dhe të tretin për Selecaon, pas një asisti të Ricardo Kaka, duke vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Pas këtij takimi, Argjentina i ka vështirësuar gjërat për kualifikim, derisa brazilianët që sot mund të fillojnë t’i blejnë biletat për në Afrikën e Jugut, pasi që përfaqësuesja e tyre e ka siguruar kualifikimin.