23 shtator 2009

Ronaldo kërkon gol kundër Villarrealit

Cristiano Ronaldo mund ta shkruajë veten në librin e rekordeve të Real Madridit sonte, duke shënuar kundër Villarrealit në El Madrigal.
Pasi tashmë ka thyer rekordin e transferimeve, me lëvizjen e tij nga United në Real që kushtoi plot 94 milionë euro, Ronaldo tash kërkon të bëhet lojtari i parë në historinë e klubit mbretëror që shënon në katër ndeshjet e para në La Liga për klubin.
Ronaldo shënoi dy herë në fitoren e të dielës ndaj Xerez, pasi kishte shënuar edhe në fitoret kundër Deportivo La Coruna dhe Espanyol dhe tash një gol në Madrigal do të bënte që ai ta arrinte rekordin.
Ylli i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, një prej rivalëve të Ronaldos për titullin e golashënuesit më të mirë, tashmë ka shënuar gola në të gjitha katër ndeshjet e para të sezonit në kampionatin spanjoll.