23 shtator 2009

Ronaldo dhe Kaka mposhtin Villarrealin

Cristiano Ronaldo ka shënuar edhe në takimin e katërt radhazi në La Liga, në fitoren 2-0 të Real Madridit ndaj Villarrealit, të zhvilluar në El Madrigual.
Si të ndeshjen e kaluar ndaj Xerez, transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, shënoi me të filluar ndeshja, në minutën e dytë, pasi shmangu mbrojtjen vendase dhe dërgoi topin në këndin e djathtë të poshtëm të portierit Diego Lopez.
Goli është i pesti për Cristiano Ronaldon në La Liga, që hyn në historinë e klubi si lojtari i vetëm që ka shënuar në të katër ndeshjet e para të sezonit.
Villarreali mbeti me 10 lojtarë në lojë në minutën e 35-të, pas përjashtimit të kapitenit Gonzalo Rodríguez për shkak të dy kartonëve të verdhë, por Reali nuk arriti ta shfrytëzojë epërsinë e një lojtari dhe dyfishoi rezultatin vetëm falë penaltisë në minutën e 72-të të takimit.
Një prekje e topit me dorë nga Angel Lopez, i lejoi përforcimit tjetër të verës, Kaka, të shënojë nga pika e bardhë, gol që edhe vulosi rezultatin e ndeshjes.
Me tre pikët e reja Reali ndan kreun e La Ligës me pikë të barabarta me Barcelonën, të dyja nga 12.