02 shtator 2010

Seria A, 2 miliardë euro borxh

Pavarësisht urdhërave të UEFA-s klubet italiane vazhdojnë të blejnë lojtarë

Nga fillimi i merkatos së verës nuk është bërë gjë tjetër veçse është folur për “fair play”-in financiar, për nevojën që kanë klubet e Serisë A për të bërë një hap mbrapa në blerjen e lojtarëve që kushtojnë shumë. Ndërsa Milani ka marrë Ibrahimoviçin dhe Robinjon, Roma ka gjetur para të freskëta në momentin e fundit për të marrë Borrielon, klube të nivelit të mesëm si Xhenoa dhe Bolonja kanë shpenzuar edhe falë të ardhurave nga të drejtat televizive.

Por kjo nuk do të thotë se bilancet e klubeve italiane janë pozitivë. Në fakt, 20 skuadrat e Serisë A kanë një borxh të përgjithshëm prej 2 miliardë eurosh dhe vetëm në sezonin e kaluar kanë shpenzuar pothuajse 220 milionë euro. Po atëherë si janë të mundura këto blerje? Falë marrjes së famshme borxh me të drejtë e detyrim blerje në fund të sezonit: Ibrahimoviç, Pepe, Mota, Kualjarela, kanë kaluar të gjithë me këtë formulë që lejon zgjatjen e periudhës së pagesës, duke e ndarë këtë të fundit në tre këste.

Një tjetër element që ka kontribuar në realizimin e disa blerjeve ka qenë ulja e rrogave të lojtarëve. Nuk janë arritur akoma rezultate pozitive, por shpresa është se klubet mund të arrijnë shpejt të paguajnë rroga më të ulta në mënyrë që të mund të amortizojnë në bilanc blerjet që janë bërë në merkato.

E gjitha kjo në pritje të “fair play”-it financiar, që do të hyjë në fuqi në sezonin 2013/14, por kontrollet nga Nioni do të vihen në lëvizje që në 2011-n (klubet nuk do të mund të kenë një defiçit prej 45 milionë eurosh, ndëshkimi do të jetë përjashtimi nga Championsi ose nga Liga e Europës). Midis skuadrave të mëdha të Serisë A vetëm Interi nuk ka bërë asnjë lëvizje, por për një arsye të fortë. Në vitet e kaluara (nga 2006-a deri në 2009-n) klubi i Masimo Moratit e ka mbyllur bilancin me një defiçit prej 500 milionë eurosh, ndaj ishte e nevojshme të merreshin disa masa.