Trajneri bardhezi pranon vështirësitë e skuadrës pas barazimit me Sampin: Ne mbrojtje kemi probleme
A jemi për titull? Jo. Për titull janë skuadrat e tjera, ne duhet të mendojmë të punojmë”. Juventusi i Xhixhi Del Nerit nuk mund të mendojë akoma për “tringjyrëshin”. Trajneri bardhezi ruan një profil të ulët pas barazimit në “Olimpiko” 3-3 kundër Sampdorias. Pas 180 minutave në kampionat, Juventusi i tij ka vetëm një pikë. “Krijuam shumë raste, por e lejuam edhe kundërshtarin të na sulmojë, - thotë Del Neri. - Në fillim të kampionatit mund të ndodhë.
Jam i kënaqur, sepse e di që do të përmirësohemi. Në javën e parë patëm vështirësi në aspekin fizik. Sot (dje) ishim shumë të motivuar, ishim në rregull. Në një moment rritjeje, është normale që të gabohet. Mua më intereson që skuadra të jetë shumë konkrete në fazën dizimpenjimit dhe të sumit: nëse ia dalim, mund të luajmë në nivelet që luajtëm në pjesën e parë.
Ndërsa në pjesën e dytë luajtëm mirë, krijuam shumë, sa keq vetëm për shpërqendrimin në rastin e pësimit të dy golave. Në aspektin e karakterit jemi mirë. Duhet të përmirësojmë fazën mbrojtëse mbi të gjitha. Nuk duhet të jemi të ngadaltë”. Megjithatë trajneri juventin është optimist për të ardhmen: “Ne jemi një Juventus i rinovuar, duhet vetëm të përmirësohemi, kemi shumë lojtarë të rinj që mund të paraqiten mirë. Mund të zhvillojmë një kampionat cilësor.
Gabojmë shumë pasime, sepse nxitojmë të arrijmë menjëherë në zonën e golit, por jam shumë optimist mbi të ardhmen”. Tekniku bardhezi e mbyll duke folur për Felipe Melon: “Nuk e ka bërë përgatitjen së bashku me të tjerët, ndaj dhe gabon. Te Juvja janë, Markizio, Pepe, Krasiç, Bonuçi, Kielini:
asnjë nga ata nuk e ka bërë fazën përgatitore siç duhet. Melo do të jetë protagonist kur të përmirësojë gjendjen e tij fizike”.
Edhe drejtori i përgjithshëm juventin Bepe Marota e drejton gishtin te reparti i mbrojtjes: “Pjesa e parë nuk ishte e mirë, por pjesa e dytë është një ogur i mirë për të ardhmen. Kasano i takon së shkuarës, tani duhet të shohim përpara. Kasano ka vlera absolute, por luan te Sampdoria, unë jam i shqetësuar për golat që pësojmë.
Në sulm jemi të fortë, jemi të plotë dhe krijojmë raste, - vazhdon Marota. - Objektivi ynë është të arrijmë në katër vendet e para të renditjes. Duhet të arrijmë Championsin, jo të fitojmë kampionatin. Ne kemi blerë 12 lojtarë këtë verë, pasi organika duhej rithemeluar. Do të jetë një vit i vështirë edhe vetëm për të përshtatur lojtarët me njëri-tjetrin”.