Trajneri i Juventusit Del Neri po punon për të sistemuar repartin e tërhequr
Trajneri i Juventusit, Xhixhi Del Neri, ka punuar dy ditët e fundit në Vinovo së bashku me skuadrën për të kërkuar të sistemojë sa më mirë fazën mbrojtëse. Trajnerit friulan nuk i kanë pëlqyer në të vërtet tre golat e pësuar të dielën gjatë barazimit kundër Sampdorias. Del Neri ka ndërtuar gjithnjë “mbrojtje perfekte” në ekipet ku ka drejtuar dhe kështu ka ndër mend të bëjë edhe në Torino.
Dje, në veçanti, tekniku bardhezi filloi një program shpërndarjeje në tre aspekte. Para së gjithash, për të shmangur golat e së dielës, do të jetë e nevojshme që niveli i përqendrimit të jetë shumë i lartë: duhet “egërsia” e duhur, e cila mungoi ndaj Kasanos me shokë. Rëndësi ka pastaj asimilimi i mekanizmave, përshtatja me shokët e repartit, një argument delikat, duke parë revolucionin e bërë në mbrojtjen bardhezi.
Në fund, do të jetë i nevojshëm përmirësimi i bashkëpunimit mes reparteve. Edhe mesfusha duhet të ndihmojë repartin e tërhequr, duke shmangur atë që kundërshtarët të gjejnë vështirësi përballë tyre. Ndërkohë, sulmuesi i Juventusit, Fabio Kualjarela mendon për këtë fillim jo të mirë kampionati të skuadrës së tij: “Për sa më takon mua, synoja të paraqitesha mirë, ndonëse jam i kënaqur, duke parë që arrita dhe të shënoj, -thotë sulmuesi juventin.
- Më vjen keq që nuk arritëm të merrnim tri pikët, pavarësisht se në pjesën e dytë luajtëm shkëlqyeshëm. Por futbolli kështu është, duke vazhduar të punojmë, nuk mund të mos përmirësohemi”. Përkushtimet e ardhshme janë ndaj Leh Poznanit në Ligën e Europës dhe në kampionat kundër Udinezes: “Shpresojmë të fitojmë. Megjithatë në Europë nuk mund të luaj dhe do të vuaj nga tribuna. Ndeshja në Udine? Për mua do të jetë e veçantë, sepse aty kam përjetuar dy vite të mrekullueshme dhe ruaj një kujtim fantastik për atë qytet dhe ata tifozë”.