13 shtator 2010

Juventusi zhgënjen, Kievo në vend të parë

Venetët në krye. Bardhezinjtë ndalen 3-3 ndaj Sampdoria. Fitojnë Lacio, Breshia dhe Katania

Një Juventus i çmendur ka barazuar 3-3 në “Olimpiko” të Torinos me Sampdorian. Ka qenë një ndeshje me dy fytyra, me një pjesë të parë pa shumë emocione, që është “ringjallur” në minutat e fundit nga golat e Pocit dhe Markizios. Ndërsa, pjesa e dytë ka qenë e mbushur me emocione me Juven që ka kaluar dy herë në avantazh falë golave të Pepes dhe Kualjarelës dhe Sampi që ka arritur të rikthejë barazpeshën me Kasanon dhe Pocin, që ka realizuar kështu një dygolësh.

Pas dy javësh bardhezinjtë kanë vetëm një pikë në renditje. Ka ardhur një rezultat befasuses edhe nga “Marasi” me Kievon që ka mposhtur Xhenoan. Pas golit të avantazhit të kuqebluve që kanë shënuar me anë të Destros në minutën e 6-të, lojtarët e Piolit kanë gjetur golin e barazimit në fundin e pjesës së parë me Moskardelin, për të shpërthyer më pas në pjesën e dytë falë golave të Markolinit dhe Pelisier.

Tri pikë që bashkë me ato të marra në ndeshjen e parë kundër Katanias e kanë çuar Kievon në vendin e parë të renditjes së Serisë A. Vazhdon momenti negativ i Fiorentinës, që pas barazimit 1-1 me Napolin në javën e parë të kampionatit është mundur 1-0 nga Leçe. Di Mikele ka shënuar golin e fitores për vendasit në minutën e 9-të, falë edhe një gabimi të Montolivos.

Skuadra vjollcë ka krijuar disa raste për barazimin, duke gjetur golin në fillimin e pjesës së dytë me Kroldrup, por arbitri e ka anulluar për një pozicion jashtëlojë që nuk ishte. Lacio ka mundur Bolonjën dhe ka marrë tri pikët e para në fund të një ndeshjeje me dy fytyra: pjesa e parë e varfër, e dyta me emocione, me lojtarët e Rejës që kanë ndryshuar ritmin dhe falë golave të shpejtë të shënuar nga Mauri (68′) dhe Roki (75′) kanë arritur të çajnë mbrojtjen e mirëorganizuar nga Malezani.

Mudingai ka ngushtuar diferencat në të 78-n. Në minutën e 92-të Hernanes ka fiksuar shifrat në 3-1 nga pika e bardhë. Ndeshja e mesditës (12:25) është fituar nga Breshia që ka mundur me rezultatin 3-2 Palermon, duke marrë kështu tri pikët e para në këtë kampionat pas humbjes kundër Parmës në javën e parë. Ka qenë një ndeshje e bukur, me golat që kanë ardhur falë disa gabimeve në mbrojtjet respektive. Breshia ka kaluar menjëherë në avantazh me Dalamanon në minutën e 4-t.

Më pas ka ardhur barazimi i Pastores në të 22-n, 2-1-i është realizuar nga Eder dhe goli i tretë për vendasit ka ardhur nga Karaçiolo në minutën e 44-t nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë Palermo është hedhur në sulm, por goli i Balcaretit (86′) ka ardhur shumë vonë. Në stadiumin “Masimino” Katania ka marrë tri pikët e para të sezonit, duke mundur Parmën e ish-trajnerit Marino.

Maskara dhe Antenuçi kanë mposhtur portierin Mirante me një penallti për pjesë. Verdheblutë kanë arritur të ngushtojnë diferencën me Xhiovinkon, që ka shënuar nga një goditje dënimi. Më i miri në fushë ka qenë portieri i Katanias Anduhar. Në fund janë nxjerrë me kartonin e kuq Lukareli dhe trajneri Marino për protesta.