Juventusi dhe Interi mund të jenë dy nga skuadrat më tradicionale italiane, por këtu mbarojnë ngjashmëritë mes dy gjigantëve të futbollit italian, pasi që presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, ka sulmuar përsëri pronarin e Interit, Massimo Moratti, për qëndrimin e këtij të fundit ndaj Calciopolit.
Siç dihet, Andrea Agnelli po bën çmos për të rikthyer dy titujt e marrë nga Interi pas Calciopolit, ndërsa këtë dëshiron ta bëjë duke e detyruar FIGC-në të hapë një process të ri hetimor të quajtur “Calciopoli 2”. Këto tentime nuk u mirëpritën nga Massimo Moratti, që ka thënë se Juventusi po sillet vërdallë mjegullës.
“Moratti? Ndoshta ai ishte nervoz kur është dashur të mendojë për ne. Unë shikoj se çfarë po bëhet me Juventusin. Ne jemi të qetë. Ne e dimë se çfarë kemi thënë, kështu edhe FIGC-ja dhe ne po presim për gjykimin e tyre”.
“Unë jam shumë transparent kur bëhet fjalë për marrëdhëniet tona me Interin, pasi që nëse shikoni dëshmitë e reja, edhe Interi u bëri telefonata gjyqtarëve atëkohë”, precizoi Agnelli, i cili ka ende hesape të pa sqaruara me Massimo Morattin sa i përket Calciopolit.
Interi dhe Juventusi pritet që të masin forcat në derbi d’Italia që zhvillohet në kuadër të javës së pestë, të dielën më 3 tetor në ora 20:45.