Trajneri bardhezi frenon entuziazmin pas fitores në Udine dhe paralajmëron: Melo e Markizio dyshja titullare
Ka entuziazëm në Torino pas fitores bindëse 4-0 të marrë të dielën kundër Udinezes, por Xhixhi Del Neri vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë: “Nuk mund të jemi euforikë. Nuk kemi bërë akoma asgjë. Po punojmë për të marrë maksimumin e rezultateve dhe nuk duhet të ëndërrojmë me sy hapur pas një fitoreje ose të demoralizohemi nëse gjërat nuk shkojnë mirë.
Edhe pse besoj se ky rrezik nuk ekziston”. Në lidhje me fitoren në Udine, e para në këtë kampionat: “Kemi treguar se jemi një skuadër cilësore dhe kemi një dëshirë të madhe për të punuar dhe për t’u përmirësuar, - ka vazhduar tekniku bardhezi. - Kur gjërat shkojnë mirë gjithçka bëhet më e lehtë. Nëse lojtarët janë të qetë mund të stërviten më mirë, sepse rezultatet i japin besueshmëri punës së bërë gjatë javës”.
Përsa i takon gjendjes fizike të skuadrës. “Felipe Melo dhe Markizio janë në formë, do të luajnë nga fillimi edhe kundër Palermos. Kam besim te të gjithë lojtarët e mi, por më duket se dyshja që ka luajtur deri tani jep më shumë garanci, kështu që nuk ka kuptim të ndryshoj. Si ia kam dalë për të transformuar Melon? Ka gjetur një ambient që e ka pritur mirë, ka një marrëdhënie të mirë me publikun.
Jam i sigurt se Juventusi në këtë kampionat do të ketë një grup të rëndësishëm”, ka shpjeguar Del Neri, që më pas ka folur për ndeshjen e sotme kundër Palermos. “Do të kemi përballë një skuadër të vështirë. Ne duhet të jemi të vetdijshëm se çdo ndeshje është një provë që duhet kaluar me forcë dhe duke respektuar kundërshtarin.
Besoj se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë sepse Palermo është një skuadër e fortë, jo vetëm në letër. Pastore? Eshtë një lojtar i madh, duhet të tregojmë kujdes të veçantë ndaj tij, por sigurisht nuk do t’i vëmë një lojtar që ta ndjekë nga mbrapa gjatë gjithë ndeshjes. Më pas nuk është vetëm ai. Makarone dhe Iliçiç kanë bërë një paraqitje të madhe kundër Interit”, ka përfunduar Del Neri.