Sot do të luhen ndeshjet e para në 12 grupet e “kupës së vogël”. Atletiko Madrid, mbajtësja e trofeut
Atletiko e Madridit do ta nisë mbrotjen e “kurorës” në Ligën e Europës, sot në Selanik të Greqisë, ndaj Arisit. Atletiko, që gjithashtu ka fituar edhe Superkupën e Europës, do të luajë pa Serxhio Agueron dhe Tomas Ujfalushin. Gjermanët e Leverkusenit presin norvegjezët e Rozenborgut në ndeshjen tjetër të Grupit B. Sonte do të luajnë të 48 ekipet në garë për të arritur në finalen e kësaj veprimtarie, në Dublin, më 18 maj. Midis emrave të mëdhenj, pjesëmarrës në këtë edicion të Ligës së Europës janë Liverpuli dhe Juventusi, disa herë kampionë të Europës, krahas Mançester Siti, rekordmen shpenzimesh në merkaton e verës.
SPANJOLLET - Trajneri i Atletikos së Madridit, Kike Sançez Flores, do të lërë pushim mbrojtësin Ujfalushi dhe sulmuesin Aguero për transfertën në Greqi. Që të dy kanë pësuar goditje në ndeshjen e fituar 2-1 ndaj Bilbaos, por ka të ngjarë që të jenë titullarë ndaj Barcelonës, ditën e dielë. Gjithsesi, futbollistët e ardhur nga merkato e verës Fran Merida dhe Filipe Luis janë ambientuar si duhet dhe plotësisht të gatshëm për sfidën ndaj Arisit.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por duam ta nisim këtë veprimtari me këmbë të mbarë,” - tha mbrojtësi i Atletikos, Alvaro Domingez. Atletiko e Madridit nuk është shpresa e vetme e spanjollëve për të qenë sërish të suksesshëm në Ligën e Europës. Vilareali do të luajë ndeshjen e parë të Grupit D në Zagreb ndaj Dinamos, Sevilja (dy herë fituese në 2006-n dhe 2007-n) do të presë Paris Sën Zhermenin, ndërsa Getafe do të përballet me Odensen në Grupin J. Danezët kanë shkarkuar trajnerin Lars Olsen përpara se të udhëtonin për në Spanjë.
ITALIANET - Juventusi do të marrë pjesë për herë të dytë radhazi në Ligën e Europës dhe do t’i fillojë ndeshjet e Grupin A ndaj polakëve të Leh Pozhnanit. Salcburgu dhe Mançester Siti janë rivalët e tjerë për bardhezinjtë. Pasi ka grumbulluar vetëm një pikë në dy ndeshjet e para të Serisë A, është rritur presioni mbi trajnerin Luixhi Del Neri. Juvja barazoi 3-3 me Sampdorian në ndeshjen e fundit.
Sampi, që merr pjesë në Ligën e Europës pasi u eliminua nga “play off”-i i Ligës së Kampioneve, ka një transfertë të vështirë për Grupin I, në fushën e PSV Eindhovenit. Skuadra tjetër italiane pjesëmarrëse, Napoli pret Utrehtin në një tjetër duel italo-holandez. Palermo do të luajë ndeshjen e parë të Grupit F, në Pragë, ndaj Spartës.
ANGLEZET - Trajneri i Mançester Siti, Roberto Mançini, i mban ende shpresat te portieri Xho Hart, për transfertën e sotme ndaj Salcburgut. Hart gaboi fatalisht në ndeshjen e fundit të Premier Ligës, barazuar ndaj Blekbërnit, por do të jetë sërisht titullar. Shei Given mbetet në stol. “Jemi pjesëmarrës në katër veprimtari dhe jam i sigurtë që Given do të luajë në Ligën e Europës dhe Premier Ligë, por jo tani.
Aktualisht, Hart është titullar. Do të jetë edhe të enjten,” - tha Roberto Mançini. Ndërkohë, sipas shtypit britanik, trajneri i Liverpulit, Roi Hodgson, pritet që të lerë pushim sulmuesin e Spanjës, Fernando Torres dhe mesfushorin e Anglisë, Stiven Xherrard, për transfertën e vlefshme për Grupin K ndaj Steauas së Bukureshit. Në këtë mënyrë, Hodgson synon të nxjerrë maksimumin nga dy “yjet” e tij për ndeshjen e ardhshme të Premier Ligës, të dielën në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtid. Ndaj Steauas do të debutojë blerja e fundit Raul Maireles.
TE TJERAT - Leverkuseni do të ndeshet me Rozenborgun, kampion i Norvegjisë, ndërsa Shtutgarti, që e ka nisur kampionatin gjerman me tri humbje do të vihet përballë Jang Bojsave në Grupin H. Një humbje në vendlindje do të ishte fatale për fatet e trajnerit zvicerian të Shtutgartit, Kristian Gros.
Skuadra tjetër gjermane pjesëmarrëse në Ligën e Europës, Borusia e Dortmundit, e nis fushatën në Grupin J ndaj Karpati Lviv në Ukrainë. Për Grupin L, Rapidi i Vjenës, pasi eliminoi Aston Vilën, do të ndeshet me Porton. Andërleht-Zenit Shën Petërsburg, për Grupin G, është sfidë mes dy ekipeve që kanë fituar trofe europianë në të kaluarën e tyre. Dinamo e Kievit pret BATE Borisovin.