
Futbollistët patën kërcënuar se nuk do të zbrisnin në fushë, pasi Liga propozoi kontrata të reja kolektive me ta. Dy ishin kundërshtimet kryesore të lojtarëve. Ata nuk pranonin propozimet e klubeve, sipas të cilave futbollistët që nuk janë më të dëshiruar duhet të pranojnë një transferim në vitin e fundit të kontratës si edhe ajo për futbollistët që nuk japin mjaftueshëm në stërvitje, duhet të stërviten jashtë skuadrës së parë.
“Sot është një ditë e rëndësishme, takuam kreun e Federatës dhe jemi të bindur se gjërat do të ndryshojnë”, u shpreh presidenti i Juventusit Andrea Anjeli. Ndërkohë kreu i Ligës Mauricio Bereta u shpreh i bindur në gjetjen e një zgjidhje me drejtuesit e Shoqatës së Futbollistëve. Pas takimit, Liga dhe Shoqata e Futbollistëve kanë rënë dakord për 6 nga 8 pikat e kontratës kolektive, kështu që java e pestë e Serisë A do të luhet rregullisht.
Sipas specialistëve, dëmi që do t’i shkaktohej futbollit italian nga greva e paralajmëruar për më 25 dhe 26 shtator, do të ishte i ngjashëm me atë të skandalit të Calciopolit në vitin 2006. Në rast zhvillimi të grevës, televizionet që kanë blerë të drejtat televizive do të pësonin humbje të mëdha financiare.