Drejtori i përgjithshëm bardhezi: Kemi ndjekur linjën e kursimit..
“Del Neri ka mbajtur një qëndrim që bazohet te përulësia, por objektivat tanë mbeten ambiciozë”. Xhiuzepe Marota ka dalë në krah të teknikut dhe ka korrigjuar pak shënjestrën duke shmangur deklarata “utopike”. Drejtori i përgjithshëm i Juves më pas ka sqaruar: “Kampionatet nuk fitohen me emrat e mëdhenj, por me grupin dhe motivimet.
Niveli i cilësisë i lojtarëve tanë është i mirë, trajneri është i kënaqur me organikën”. Nisja e keqe e skuadrës së Del Nerit, me pak fjalë, nuk e shqetëson. Juventusi i të ardhmes sapo ka lindur. Logjike, domethënë, që duhet kohë: “Kemi ndjekur politikën e rinovimit, të dielën ishin gjashtë lojtarë të rinj në fushë. Klubi ka treguar linjën që duhet ndjekur, ne e kemi ndjekur në merkato duke shitur lojtarë që kanë bërë historinë e këtij klubi”.
Dhe më tej: “Kemi ulur moshën mesatare dhe kemi arritur objektivat për të ulur shpenzimet për rrogat, - ka shtuar duke përmbledhur objektivat e ndjekur gjatë fushatës së blerjeve. - Mospjesmarrja në Champions ka ndikuar te të ardhurat, na është dashur të bashkojmë nevojat sportive me ato të bilancit. Eshtë e qartë se nuk mund të kishim ndërhyrë në merkato për të marrë kampionë.
Por kjo nuk do të thotë se Juvja nuk synon të arrijë rezultate të mëdha. Kundër Sampdorias kemi shënuar tre gola dhe mund të kishim shënuar dhe dy të tjerë. Duhet të punojmë për të pësuar më pak: duhet të gjejmë ekuilibrin në mbrojtje”, ka thënë Marota.