21 shtator 2010

Super-Krasiç, një Nedved i ri te “Zonja”

Mesfushori serb ishte një nga më të mirët në fushë kundër Udinezes: Do të përmirësohem akoma

Eshtë zyrtare: Krasiç është një lojtar i madh. Tre të dhëna bëjnë një provë, dhe serbi ka shkuar më tej, duke bërë disa paraqitje më shumë se bindëse. Ngjashmëria me Nedvedin është e madhe jo vetëm në look, por edhe në fushë dhe për fat të mirë ka një moshë të re. Vrapon, lufton, sakrifikon, veti që i ka pasur deri në ditët që vari “këpucët në gozhdë” edhe ish-mesfushori çek i bardhezinjve.

Një ndryshim i ritmit aspak normal, karakter dhe personalitet të fortë, pasime të sakta dhe shumë dëshirë për të bërë mirë, të dielën Milos Krasiç nga Kosovska e Mitrovicës ka qenë më i miri në fushë. Ka qenë një nga më të mirët në fushë për bardhezinjtë në ndeshjet e fundit, por Del Neri ka preferuar të frenojë komplimentat e shumtë: “Mund të përmirësohet akoma më shumë, në aspektin teknik dhe fizik. Tani duhet të mësojë të ndihmojë skuadrën edhe në mbrojtje.

Në Udine e ka bërë, por mund të bëjë më shumë”, ka thënë tekniku bardhezi. Vetë lojtari mendon të njëjtën gjë me trajnerin e tij: “Përshtatja ime vazhdon, - ka thënë Krasiç, - në Itali do të përmirësohem vazhdimisht. Ndërkohë, jam i gëzuar për këtë futboll dhe për paraqitjet e mia. Gjithçka më duket e mrekullueshme. Kemi luajtur një ndeshje të rëndësishme, siç i takon Juventusit. Pas golit të parë ka qenë më e lehtë, ndeshja ka shkuar siç kemi dashur ne”.

SI TARDELI - Edhe Markizio ka vlerësuar lojën e serbit: “Goli im? Ndoshta më i bukuri në karrierë, por ai pasim i Krasiç ma ka bërë punën më të lehtë”. Shumë modest, sepse goditja fluturimthi me të majtën e Klaudios ka qenë perfekte. Krahasimi me Tardelin është i pashmangshëm. Një gol që është shoqëruar edhe me një paraitje perfekte, një lajm i mirë edhe për Çezare Prandelin dhe kombëtaren e Italisë. “Kjo është Juvja që do Del Neri? Jo, - ka thënë Markizio, - është Juvja që duam të gjithë”.

TE GJITHE GOLASHENUES - Me golin e Iakuintës, sulmi bardhezi është kompletuar në këtë sezon. Të gjithë kanë shënuar. Në repartin e avancuar gjërat funksionojnë, me bardhezinjtë që kanë sulmin më të mirë të Serisë A. Dhe të enjten do të rikthehet edhe Amauri. “Duhej të isha aktivizuar për disa minuta, - ka shpjeguar braziliani, - por më pas Mota ka patur disa probleme dhe në vend të tij është futur Legrotalie”.

Kundër Palermos do të kërkojë të jetë titullar. Do të luftojë me Iakuintën dhe Del Pieron, sepse vendin tjetër duket se e ka siguruar Kualjarela. Një gol spektakolar me thembër, “midis tre-katër golave më të bukur të karrierës time, - ka thënë napoletani. - Nuk kam festuar për respekt të ish-tifozëve të mi. Kemi treguar karakter, kemi dalë nga një periudhë e keqe dhe kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme”.

RRUGA E DUHUR - Mbylljen e ka bërë Bonuçi: “Goli? Di vetëm se kam prekur diçka (ka qeshur), më pas kam parë topin në rrjetë dhe kam festuar. Pasi kemi kaluar në avantazh e kemi kontrolluar ndeshjen. Kjo fitore i bën mirë moralit të skuadrës. Tani duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë mbrojtësi bardhezi.