Ai i Marko Borrielos ka qenë refuzimi i fundit i një serie të gjatë lojtarësh në merkatën e verës
“Zonja” është injoruar. T’i thuash “jo” Juves duket se është në modë: të dielën Burdiso, të hënën Di Natale, të martën Borrielo. Sulmuesi kuqezi e ka refuzuar mundësinë për të veshur fanellën bardhezi. “Nuk e kam bërë për arsye ekonomike, - ka shpjeguar ai, - kam qenë i gatshëm të largohem nga Milani vetëm përfundimisht dhe jo borxh”.
Ka preferuar të jetë i pari te Roma, se sa i pari te bardhezinjtë. Më mirë verdhekuqtë se “Zonja”, më mirë Liga e Kampionëve se Liga e Europës. Replika e drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Bepe Marota, ka qenë: “Ne mund ta merrnim vetëm me formulën e borxhit, negociatat për të marrë Borrielon kanë dështuar”.
KA NGA ATA QE THONE JO - Vazhdon të rritet fuqia kontraktuale e lojtarëve, gjithnjë dhe më shumë padronë të fatit të tyre. Sot, në fakt, zgjedhin ata. Më përpara, kush nuk i përulej vendimeve të klubit shkonte në Serinë C. Më shumë se Borrielo, kanë përbërë lajm refuzimi i Burdisos dhe mbi të gjitha i Di Natales.
“Faleminderit Juve, por preferoj Romën”, mesazhi i mbrojtësit argjentinas. “Me fanellën bardhezi po, por në Udine”, zgjedhja e Di Natales. Toto ka hequr dorë nga mundësia për të luajtur për një klub të madh pas një karriere të kaluar në provincë. Nuk i interesonte idea për të zëvendësuar Diegon, për të rivalizuar me Del Pieron. Me pak fjalë, ajo që deri pak vite më parë ka qenë skuadra më tërheqëse e Italisë tani është një zgjedhje e dorës së dytë.
NGA RIVA TE FRINGS - Eshtë i famshëm refuzimi që i ka bërë Xhixhi Riva Juves. “Në çdo stadium gjeja një bashkëpunëtor të Bonipertit që këmbëngulte: ‘T’i telefonojmë Xhiampieros se do të të përshëndesë, - ka zbuluar ish-lojtari i Kaljarit. - Nuk e duroja dot faktin se mund të merrnin vendime pa u këshilluar me mua.
Marrëveshja midis Juves dhe Kaljarit ishte gjetur: 3-4 lojtarë plus para. Do të kisha përfituar trefishin, por Sardenja më ka ndihmuar të bëhem burrë, ishte bërë toka ime”. Më pas, në lidhje me çështjen Di Natale: “Toto ka treguar se përveç futbollit të Ibrahimoviçit ekziston edhe futbolli i ndjenjave, falë Zotit…”. Ka bërë më pak bujë refuzimi i marrë nga “Zonja” në verën e 2007-ës nga gjermani Torsten Frings. Ka qenë gjithçka e mbyllur, por marrëveshja është prishur nga një vendim i lojtarit që ka preferuar të qëndrojë te Verderi.