Dëshira e kapitenit që në nëntor mbush 36 vjeç është të vazhdojë të luajë pa fund: Kombëtarja? S’kam hequr dorë
Alesandro Del Piero ka akoma dëshirë të luftojë, vrapojë dhe sigurisht të shënojë. Në nëntor, numrat në kartë ndryshojnë, do të mbushë 36 vjeç, por “Pinturikioja” as që mendon t’i varë “këpucët në gozhdë”. “Filloi një vit i ri, Juventusi ka ndryshuar gjithçka: lojtarë, drejtuesa, stafin teknik dhe atë mjekësor, - thotë kapiteni bardhezi. - Po punojmë për të konsoliduar themelimin e kësaj “ndërtese të re”.
Pas ringjitjes në Serinë A para katër vjetësh, kemi zhvilluar dy sezone të mrekullueshme. Një vend i tretë me kualifikimin në Ligën e Kampioneve dhe deri te arritja e vendit të dytë vitin pasardhës. Kanë qenë arritje të mëdha, por janë harruar ose çmuar pak. Për fat të keq na shkoi jo mirë vitin e shkuar, - vazhdon analizën e tij Del Piero.
- Të shohim si do të jemi në të ardhmen e afërt dhe si do të ndihem unë fizikisht, por qëllimi im është të luaj deri në moshën 40-vjeçare me fanellën bardhezi, duke vazhduar që vitin që vjen dhe pastaj në stadiumin e ri. Nëse pres ndonjë thirrje nga klubi për rinovimin e kontratës? Tani jo, por një moment takimi e pres. Ndoshta më vonë”. Numri dhjetë bardhezi flet edhe për Xhixhi Del Nerin dhe një rikthim të mundshëm në kombëtare:
“Trajneri ynë i ri është një njeri i vendosur dhe kjo është një cilësi e shkëlqyer. Është një “manjak” në punën e tij, kujdeset edhe për detajet më të vogla dhe arrin t’i transmetojë lojtarit sedër dhe karakter. Impakti i parë me të ishte pozitiv. E mbështes kur thotë se nuk mund t’i vëmë kufi vetes për objektivat tonë sezonalë, - vazhdon Del Piero.
- Kombëtarja? Argument shumë delikat ky, por unë nuk mbyll asgjë. Ta lëmë kështu: nëse Prandeli do të më kërkonte ta ndihmoja, unë do t’i thoja “po”. Jam shumë i kënaqur që shumë nga shokët e mi luajnë me “axurrët”, jam dakord plotësisht dhe ndihem krenar mbi zgjedhjen e klubit për një Juve “Made in Italy”, është një gjë speciale”, - e mbyll Aleksi.