14 shtator 2010

Kasano: Më bënë terrorist, tani më duan të gjithë

Sulmuesi italian i Sampdorias ka rigjetur formën duke u shndërruar në pikën e referimit për kombëtaren “axurre” të Çezare Prandelit.

Pas vitesh të tëra me ulje-ngritje, 28-vjeçari më në fund duket se është rikthyer në 100 për qind të formës dhe është më i etur se kurrë më parë për sukses. Por barezi nuk harron të shënjestrojë ata që sipas tij, kanë patur ndikim në ecurinë negative gjatë këtyre viteve. Në një intervistë për Premium Football Club, Kasano u shpreh:

“Në fillim më konsideruan terrorist, kurse tani të gjithë më duan. Që kur kam filluar të luaj futboll njerëzit më kanë qëndruar pranë. Ka qenë kundër meje ndonjë trajner, ndonjë gazetar, ndonjë opinionist, që ndoshta tani ka hipur në karrocën e fituesve. Por për ta mua nuk më bëhet vonë”.

Po si ia doli Kasano të ndryshojë plotësisht nga ai i pari? “Ky ndryshim nuk ka ndodhur vetëm gjatë dy muajve të fundit, por është rezultat i tre viteve përpjekje. Jam sjellë mirë edhe në fushë, nuk kam bërë më gabimet e të kaluarës. Më vjen keq që në futboll kam dhënë vetëm 50-60 për qind dhe për këtë kam humbur 6-7 vjet nga jeta ime. Por tani jam mirë, po kaloj momente të bukura”, vijoi ai.