Mesfushori bardhezi i është betuar për besnikëri të përjetshme klubit torinez
Pseudonimet, ndonjëherë, tregojnë gjithçka. Klaudio Markizio është një “Princ i vogël” për elegancën, klasin dhe rëndësinë që ka te Juventusi: gjak blu në mesfushë, tifozët e adhurojnë, klubi e ka zgjedhur që tani si lojtari simbol për të ardhmen: juventin që kur ka lindr, si Del Piero. Por, “Princi i vogël” në muajt e fundit e kishte humbur buzëqeshjen edhe për shkak të një problemi fizik:
“Një hematomë te gjuri i djathtë ka shkaktuar një çekuilibrim muskulor midis dy këmbëve. Dhe për këtë arsye nuk kam qenë në formë të mirë në Botëror”. Tani Markizio ndihet mirë dhe të dielën e kaluar ka shënuar gol nga ato të “tijët”. Më pas ka festuar në mënyrë të zemëruar: “Dëshira për shpagim është e madhe pas golit doja të nxirrja nga vetja disa hidhërime të kohëve të fundit”.
- Markizio, te Juventusi dhe te Italia ju keni pranuar të luani në çdo pozicion: jeni penduar për këtë?
- Jo, sepse unë jam rritur si mesfushor qëndre por te të rinjtë kam luajtur edhe në pozicione të tjera. Kështu që jam mësuar me ndryshimet. Ndihem më mirë me një mesfushë me tre lojtarë, por nuk kam një pozicion të preferuar. Nuk jam një organizator i pastër, por nëse duhet e bëj.
- Ju, juventin që kur keni lindur, jeni trashëgimtari i Del Pieros dhe në fakt e keni mbajtur më parë shiritin e kapitenit.
- Marrëdhënia me tifozët tanë është shumë e ngushtë dhe në veçanti me më të vegjlit që duke më parë mua mund të ëndërrojnë të arrijnë tek ekipi i parë pasi kanë luajtur te të gjithë skuadrat e moshave.
- Kontrata juaj skadon më 2014-n, por po flitet që tani për vështirësi në marrëdhëniet me Juven dhe për oferta nga Interi. Cila është e vërteta?
- E thjeshtë: midis meje dhe Juventusit nuk ka patur asnjë problem për kontratën dhe unë nuk nxitoj. Flitet për një rritje të rrogës dhe jo për një zgjatje të kontratës. Unë nuk jam mërzitur me Juven, nuk kërkoj eksperienca të tjera. Dhe jam zemëruar sepse kanë dalë disa gjëra të pavërteta: nuk është e vërtetë se kam kërkuar shifra të ekzagjeruara.
- Por në “Facebokk” ju keni shkruar: “Jam i shqetësuar për të ardhmen time”.
- Ndoshta kam gabuar duke shkruar këtë frazë, por “Facebook” është vetëm një instrument për të ruajtur lidhjet me tifozët. E përsëris: dua të gjej një marrëveshje me klubin dhe të qëndroj këtu sepse jam shumë i lidhur me Juven.
- Ju keni luajtur gjithmonë me të njëjtën skuadër (me përjashtim të vitit të kaluar tek Empoli), jeni martuar i ri, keni një fëmijë 1 vjeç: nëse krahasoheni me futbollistë të moshës tuaj, ndiheni pak jashtë kohe?
- Po, edhe sepse i kaloj ditët me familjen dhe me miqtë që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Puna më ka bërë të rritem shpejt.
- Markizio-Akuiliani, mund të luajnë bashkë?
- Sigurisht. Kemi eksperiencë dhe cilësi për t’u përshtatur me njëri-tjetrin.
- Çfarë do ta përmirësonte sezonin e Juves?
- Fitoret e vazhdueshme. Ne jemi një skuadër e fortë, por duhet ta tregojmë këtë në çdo ndeshje. Objektivi im është të ndihmoj Juven të fitojë.