08 shtator 2010

Juventusi, plot muskuj dhe centimetra

Xhixhi Del Neri synon te fiziku i lojtarëve që ka të gatshëm dhe nga ky aspekt, drejtori i përgjithshëm Marota, duket se e ka kënaqur. Pas fushatës në merkato, organika e trajnerit bardhezi, ka tanimë një mesatare shtatlartësie prej 185.2 centimetra, me 12 lojtarë (përfshirë portierët) nga një metër e 85 e lart:

Krasiç, Traoré, Amauri, Bonuçi, Kielini, De Çelje, Iakuinta, Legrotalje, Mota, Rinaudo, Sisoko e Akuilani. Vetëm Del Piero (173 cm), Pepe (178 cm), Markizio (179 cm) e Martinez (178 cm) nuk arrijnë në një metër e 80-të. Kësisoj, Juventusi është skuadra më gjigante e Serisë A, e ndjekur në këtë pod virtual nga Palermo (mesatarja 183.6 cm) dhe nga Fiorentina (183.3 cm).

Roma është e shtata (182.6 cm), shumë larg milanezet me Milanin në vend të 16-të (181.4) dhe Interin të 17-in (181.3). Sigurisht futbolli nuk është basketboll dhe gjatësia nuk mjafton për të fituar kampionatet. Duhet edhe cilësi, ajo që Marota ka filluar të përfshijë me ardhjen e Akuilanit dhe që do të vazhdojë të ushqejë edhe në merkaton e janarit që vjen. Më e mira do të ishte të gjëndeshin lojtarë si Ibra, me fizik të gjatë përtej 190 cm dhe këmbë të arta, por për fat të keq nuk ka shumë në qarkullim.