08 shtator 2010

Del Piero, vetëm një gol larg Bonipertit

Kanë kaluar tashmë 17 vjet nga debutimi i Alesandro Del Pieros në Serinë A. Ishte 12 shtatori 1993, në të vërtet kur një sulmues shumë i ri debutonte me fanellën bardhezi kundër Foxhias së Zemanit. I ardhur te “Zonja e Vjetër” nga Padova falë interesimit të Xhiampiero Bonipertit, pasardhësi i Roberto Baxhios, u shndërrua brenda pak kohësh në idhull të tifozëve dhe pas shumë sezonesh është akoma ai që e drejton sulmin juventin.

Në Torino kanë ndryshuar shumë trajnerë po aq dhe lojtarë, por “Pinturikioja” (kështu e pagëzoi avokat Anjeli), ka qenë gjithnjë njeriu më i dashur i tifozerisë, ai më i vëzhguari, sulmuesi më i gjykuar dhe i kritikuar. Me Juven ka 637 ndeshje dhe 276 gola (asnjë më mirë se ai), por është akoma një tjetër rekord për t’u arritur.

Golat në Serinë A, janë 177, vetëm një gol larg kuotës së arritur nga Xhiampiero Boniperti. Pikërisht këtë të dielë kundër Sampdorias mund të vijë parakalimi ndaj presidentit, që e solli në Torino shumë të ri, duke e ngjitur në Olimpin e futbollit italian dhe atij botëror. Dhe kapiteni nuk ka zhgënjyer, thuajse asnjëherë, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Pikërisht si një kapiten i vërtetë.