08 shtator 2010

Marota: Merkato? Jo revolucion, por rinovim

Drejtori i përgjithshëm bardhezi prezanton dy blerjet e fundit, Traore e Rinaudo: Jam i kënaqur nga fushata jonë

Revolucion? Jo, një rinovim i madh”. Nga merkatoja bardhezi, te ndeshja e zemrës kundër Sampdorias. Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Bepe Marota, nuk e fsheh emocionin për sfidën ndaj së shkuarës së tij blukaltër: “Të dielën zemra ime do të vrapojë me shpejtësi, - tha Marota. - Te Sampi kam kaluar tetë vite të pabesueshme. Kur erdha në Gjenovë, skuadra po binte në Serinë C, pastaj e ngjita drejt Ligës së Kampioneve. Merita është edhe e familjes Garrone dhe e mjedisit gjenovez.

Nuk është hera e parë që më ndodh të përballem me të shkuarën time, por këtë herë do të jem vërtet i emocionuar”. Një javë pas mbylljes së merkatos, Marota bën një bilanc: “Jemi të kënaqur nga fushata jonë, i përmbushëm të gjitha objektivat tona. Nuk na u duk e drejtë t’u përgjigjemi pasaktësive të ardhura nga informacionet gjysmake.

Juventusi po përjeton një moment të veçantë, një rinovim të madh. Kemi federuar disa lojtarë të rinj dhe në aspektin ekonomik, kemi përmbushur detyrat e klubit, ku bilanci është ekuilbruar me karakterin sportiv. Kanë ardhur dhjetë lojtarë të rinj, por Del Nerit i duhet pak kohë të përshtasë taktikën e tij. Tifozët tanë duhet të kenë kujdes”. Sipas drejtorit të përgjithshëm bardhezi, ardhja në krye të klubit e Andrea Anjelit, është një siguri për mjedisin juventin: “Me ardhjen e tij është përforcuar sensi i mbështetjes. Krenaria dhe pesha e fanellës do të jenë të rëndësishme për sezonin tonë”.

TRAORE - Ka hyrë në “majë të gishtave” në botën e Juves, Armand Traore, që mbush 21 vjeç në tetor. Gjatë prezantimit të djeshëm, ai ka thënë: “Juvja është një klub shumë i rëndësishëm, - pranon francezi, që zbulon pse ka marrë edhe fanellën numër 17 të lënë bosh pas largimit të bashkëkombasit të tij, Trezege.

- Nuk e zgjodha këtë numër për ndonjë afrimitet me Davidin, ma dha Juvja. Pastaj vëllai im më tha se ishte numri i Trezegesë”. Pas një jave pune të diferencuar, ish-mbrojtësi i Arsenalit, ndihet gati për t’u stërvitur me grupin: “Kam dy ditë që i kam kaluar testet fizike. Sot (dje) do të punoj me skuadrën e parë, shpresoj të shkojë gjithçka mirë. Ndihem që tani gati për të luajtur”. Me aftësi të mëdha atletike dhe me ndonjë defekt në fazën mbrojtëse, Traore nuk fshihet: “Frymëzohem nga mbrojtësit më të mirë në botë. Duhet të kuroj aspektin mbrojtës, kam nevojë të piqem, më duhet përvojë”.

RINAUDO - Te Juvja papritur. Leandro Rinaudo, i ardhur i fundit te “Zonja”, zbulon emocionin e tij: “Në moshën 27-vjeçare mora një ofertë shumë të rëndësishme, do të përpiqem ta nderoj në mënyrën më të mirë, - thotë Rinaudo. - Për mua bëhet fjalë për një realitet të ri, shumë të rëndësishëm. Ambiciet e një futbollisti duhet të jenë gjithnjë të larta.

Me punë e përulësi, shpresoj të arrij kënaqësi”. Rinaudo rigjen Del Nerin, e ka njohur te Palermo në sezonin 2005-2006, përveç ish-Napolin Kualjarela: “Trajneri më njeh prej kohësh. Do të jap maksimumin, duke shpresuar në një konfirmim. Kualjarela është një sulmues modern që dëshiron të sakrifikohet për skuadrën. Te Juvja do të tregojë të gjitha vlerat e tij”.