12 shtator 2010

Juve barazon në një ndeshje fantastike

Juventusi dhe Sambdoria kanë barazuar me rezultat 3-3 në një përballje të jashtëzakonshme të zhvilluar të dielën në Olimpico të Torinos.

Mysafirët e filluan mirë takimin duke ardhur deri te goli i avantazhit në minutën e 36-të me anë të Nicola Pozzit, i cili pranoi një top nga Antonio Cassano.

Mirëpo vendasit nuk lejuan që të mbyllej pjesa e parë me epërsinë e gjenovasve, ashtu që shënuan golin e barazimit, kur Milos Krasic plasoi një krosim në zonë, ndërsa Claudio Marchisio barazoi shifrat (43’).

Në pjesën e dytë Juventusi e dominoi ndeshjen, edhe pse nuk arriti të rrëmbente tri pikë të plota. Simone Pepe u gjet mirë pranë vijës fatale për ta shndërruar në gol një tjetër krosim të Krasic (50’).

Sampdoria zhvilloi një lojë mjaft të matur dhe të organizuar duke arritur ta barazojë rezultatin, pas një lëvizjeje të shkëlqyer të FantAntonios, i cili e mposhti portierin Storari (64’). Bardhezinjtë sërish kaluan në epërsi me anë të Fabio Quagliarellas (67’), ndërsa gjithë punën e kreu Pepe.

Por, gjenovasit nuk kishin udhëtuar në Torino për t’u mposhtur. Një krosim të Marilungos e shfrytëzoi Pozzi, i cili me kokë vendosi rezultatin përfundimtar të takimit (73’).

Në minutat e mbetura Juventusi pati disa raste, mirëpo nuk pati fat të realizonte golin e fitores, ashtu që pas dy javësh do të ketë vetëm një pikë, ndërsa Sampdoria ngritet në kuotën e katër pikëve.