12 shtator 2010

Del Piero dhe 17 momentet më të bukura me Juven

Kapiteni juventin sot kundër Sampdorias do të mbushë 17 vite karrierë me klubin bardhezi

Shtatëmbëdhjetë vite me fanellën e Juventusit dhe 17 arsye për të festuar. Alesandro Del Piero ka bërë një bilanc të jetës së tij me fanellën bardhezi, pa harruar t’i lëshojë një “thumb” Interit. Në fakt, midis momenteve të paharrueshme kapiteni ka përfshirë edhe 5 majin e 2002-it, ditën kur Juvja ka fituar kampionatin në Udine dhe, mbi të gjitha, kur zikaltërit janë fundosur në “Olimpiko” kundër Lacios. “Ja shtatëmbëdhjetë arsyet (e zgjedhura midis mijërash) për të cilat ia vlen të jesh pjesë e kësaj historie të gjatë”, ka shkruar Del Piero në saitin e tij në internet duke renditur edhe 17 momentet më të bukur:

17) Veshja e fanellës bardhezi për herë të parë
16) Veshja e fanellës bardhezi për herë të dytë, të tretë, të katërt, deri te e 637-ta…
15) Për tifozët
14) Dëmtimi i 8 nëntorit 1998. Më ka ndryshuar, më ka ndihmuar të përmirësohem.
13) Telefonata me Avokat Anjelin: “Mirëmëngjes Alesandro, si jeni, jeni zgjuar?”. “Jo, të them të drejtën po flija akoma. “Mirë, atëherë ka ardhur momenti të zgjoheni”. Ishte ora gjashtë e mëngjesit.
12) Fitorja kundër Fiorentinës më 4 dhjetor të 1994-s, nga 0-2 në 3-2, me golin tim që i ka dhuruar fitoren ekipit.
11) Goli i fitores në finalen e Kupës Interkontinentale në Tokio. 26 nëntor 1996, 1-0 kundër River Plejtit, me golin tim në minutën e 82-të.
10) Për fanellën time. E kam merituar.
9) Për 5 majin 2002.
8) Fakti që kam luajtur me kampionë si Baxhio, Viali, Zidan, Nedved, Trezege…
7) Për 29 kampionatet e fituar
6) Për të gjitha kupat
5) Goli numër 200 me Juven kundër Frozinones në Serinë B
4) Për Gaetano Shirean, për atë që përfaqëson
3) Për Bonipertin
2) Për ata që më kanë ndihmuar të arrij deri këtu
1) Për Juven e djeshme, të sotme. Dhe mbi të gjitha të së nesërmes