11 shtator 2010

Del Neri: Juvja, si një skuadër kombëtare

Trajneri bardhezi krenohet me merkaton e verës. Roma, Inter e Milan? Kujdes nga jofavoritet

Pas humbjes me Barin, Juventusi duhet të rigjejë pikët që nesër.
Kundër Sampit skuadra e Del Nerit synon fitoren. Trajneri berdhezi i njeh mirë blukaltrit, që në krahasim me vitin e shkuar - me të në stol - kanë ndryshuar pak. “Me përjashtim të Kurçit e Desenës janë po të njëjtët, - vëren Del Neri. - Kasano të shtie frikën? Jam i lumtur për gjendjen që po kalon Antonio. Me të, me lojtarë të tjerë dhe me klubin, më lidhin kujtime të bukura”.

Del Neri shpesh herë është krahasuar me Kapelon për disiplinë në stilin e tij. Në këtë aspekt, duket se Felipe Melo, njëri që kishte probleme vitin e shkuar, ka rigjetur veten: “Për sa kam parë në këto muaj të parë, - shpjegon trajneri i Juves, - Felipe Melo është një lider. Nuk ankohem për të. Dhe nuk më krijon asnjë problem nëse bën shaka me të tjerët.

Partneri i tij ideal? Besoj se mesfushorët tanë janë të gjithë ndryshe nga njëri-tjetri, mund të bashkëjetojnë të gjithë”. Për nesër flitet për Akuilanin titullar: “Është mirë, por një gjë janë stërvitjet dhe një tjetër ndeshjet ku nuk kontrollon gjë. Duhet të vlerësoj gjendjen e tij e të Markizios”. Me Sampin kjo është strategjia.

“Duhet të jemi të zotë të zgjerojmë lojën tonë, - vazhdon Del Neri, - dhe jam i bindur që skuadra ime ka fuqi për t’ia arritur. Në Bari ishim të lodhur. Mes trofeut “Berluskoni”, Vilas Perozës e Ligës së Europës, kemi qenë gjithnjë në fushë ose në udhëtime dhe asnjë nuk e ka nënvizuar mungesën e Amaurit. Do të kthehet në kupë ose në Udine, ndërsa Iakuinta është gati”. Dhe atij që sheh te Juvja një merkato të privuar nga kampionë, Del Neri i përgjigjet:

“Kush kritikon merkaton tonë gabohet, kanë ardhur të gjithë lojtarë kombëtaresh, të tjerë ishin në organikë. Megjithatë, yjet u pëlqejnë të gjithëve. Milani ka blerë kampionë si Juvja vitin e shkuar. Shikoni, se lojtarët e Juves, kjo vlen edhe për ata të Sampit, kanë elementë të shkëlqyer”. Inter, Roma e Milan, për momentin duket se do të luajnë për titull. Del Neri i shikon kështu: “Interi mbetet më i forti, i mjafton të nisë vetëm fitoret.

Milani ka një sulm të jashtëzakonshëm, por Alegri duhet të gjejë ekuilibrat. Edhe Roma: Toti kohët e fundit ka luajtur si sulmues i parë, tani është Borrielo… rrezikojnë të humbasin diçka në mesfushë. Megjithatë nuk janë vetëm ata: kujdes nga ekipet jofavorite”. Që do të thotë, kujdes nga Juvja. Në futboll gjithçka mund të ndodhë.