02 shtator 2010

Diego fajëson Marottan për “gabimet” e Juventusit

Braziliani Diego duket se ka rigjetur lumturinë pas rikthimit në Gjermani nga ku nuk i kursen fjalët e ashpra ndaj drejtuesve të Juventusit. Në shënjestër të fantazistit është drejtori i përgjithshëm, Marotta. “Punonte në hije edhe pse trajneri Delneri më tha se isha pjesë e projektit. Marotta dëshiron vetëm italianë, jo kampionë. Ka gabuar gjithçka në fushatën e blerjeve pasi Juve ka lojtarë të mirë, por jo kampionë”, shprehet Diego për “Gazzetta dello Sport”. Në vijim ai shton dozën e akuzave ndaj drejtorit të bardhezinjve. “Ai nuk e ka kuptuar ende se çfarë do të thotë të punosh për Juven, sepse nuk ka punuar asnjëherë për një skuadër të denjë për të fituar kampionatin”, shton braziliani.